E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulevardi, 7 firmat që do konkurrojnë për projektin

Nesër konkursi ndërkombëtar për zgjatimin e bulevardit deri në Paskuqan.

Nesër çelet konkursi ndërkombëtar për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës. Do të jenë 7 studio arkitekturore, të cilat do të garojnë për projektin më të mirë. Nga sa konfirmoi Bashkia e Tiranës, studiot i përkasin 20 më të mirave në të gjithë botën. Juria që do të vlerësojë projektin më të mirë, përbëhet nga 8 anëtarë, mes të cilëve personalitete të huaja e vendëse të arkitekturës dhe ekonomisë. Në krye të jurisë do të jetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Konkursi do të nisë në orën 9:00 në ambientet e Akademisë së Arteve dhe do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët e interesuar. Pas prezantimit nga studiot, maketet do të ekspozohen në hollin e Pallatit të Kongreseve, ndërkohë që më datë 9 mars, në orën 12:00, juria do të shpallë projektin fitues, bëri me dije zyra e marrëdhënieve me publikun në Bashkinë e Tiranës.
Masterplani
Studiot arkitekturore do të prezantojnë masterplanet për zgjatimin e bulevardit deri te lumi i Tiranës, me gjatësi 1.7 km dhe për zhvillimin e sipërfaqes përreth saj, prej 132.8 ha.
Po kështu, këto studio do të sjellin dhe një masterplan për rehabilitimin e lumit të Tiranës, prej 6.7 km dhe zhvillimin e zonës përreth. Shtatë studiot arkitekturore do të paraqesin dhe propozime për zhvillimin e zonës, nga lumi i Tiranës deri në Paskuqan, sqaroi zyra e marrëdhënieve me publikun në Bashkinë e Tiranës. Nga sa ka deklaruar pak ditë më parë kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, me vënien në jetë të këtij projekti po hapet jo thjesht një kapitull i ri në urbanistikë, por një shans i jashtëzakonshëm për biznesin shqiptar, për të marrë pjesë në një vepër. Edhe kjo është për 100 vitet e ardhshme, sikundër bulevardi që kemi trashëguar provoi të ishte një vepër për 100 vitet e kaluara apo 80 vitet e kaluara. Ky konkurs duhet të shihet me mendje të hapur nga kushdo që beson te energjia dhe optimizmi i qytetit të Tiranës, pavarësisht nëse jeton në Tiranë apo jo dhe duhet të besojë se Bashkia e Tiranës do ti konsiderojë të gjithë ata partnerë potencialë për zhvillimin e kësaj ndërmarrjeje historike, faktikisht dyfishimit të qytetit të Tiranës, në kuptimin urban të fjalës, si aleatë të vetëm në përmbushjen e kësaj axhende ambicioze, është shprehur Basha.

Studiot pjesëmarrëse në konkursin për bulevardin
Albert Speer & Partner Gmbh
me seli në Frankfurt mbi Main në Gjermani dhe Shangai në Kinë ndërvepron me metoda rinovuese në arkitekturë, urbanistikë dhe transport për mbi 40 vjet në planifikimin ndërkombëtar dhe ngritje përvoje.
Studio Cino Zucchi Architetti është një nga studiot fituese në arkitekturë dhe zyrë e planifikimit urban nga Milano, Itali. Studioja është duke kërkuar në vijim për zgjidhje hapësinore të jetës bashkëkohore, në kontekstin e ndryshimit të shpejtë dhe të hollësishëm në sfondin europian.
Dar Al-Handasah (Shair & Partners) ka qenë një nga studiot e para për planifikimin, hartimin dhe zbatimin e projekteve të zhvillimit në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi që në fillim vitin 1956. Sot ajo ka konsulencë globale me 43 zyra në 30 vende të njohura për identifikimin e problemit, skica të gatshme, cilësi për shpërndarjen në kohë dhe ekspertizë multidisiplinore.
Gerkan, Marg & Partners u themelua në vitin 1965 me praktika arkitekturore, që sot përfshin mbi 500 punonjës në 10 qendra në Gjermani dhe mbarë botën. Studioja GMP është një nga vlerat e rralla në pozicionin e kërkuesit, që merr përgjegjësi për projektin nga ideja e planifikimit dhe realizimi i saj përmes arredimit. GMP ka demonstruar kompetenca urbanistike me propozimet e tyre vizionare për Shtutgart 21 Deutsche Bahn, HafenCity Hamburg, si dhe masterplanin urban të Bukureshtit në Romani, dhe shumë projekte urbane në Kinë, si plani në Lingang, qytet i ri me 800 000 banorë.
Arkitektët Grimshaw. Firma u hap në vitin 1980 nga Nicholas Grimshaw, e cila ishte një nga pionieret e arkitekturës me teknologji të lartë. Praktika u shndërrua në partneritetin e vitit 2007 dhe operon në mbarë botën me zyrat e saj në Nju Jork, Londër, Melburn dhe Sidnei, duke punësuar një personel prej mbi 250 punonjësish. Portofoli ndërkombëtar Grimshaw mbulon gjithë sektorët kryesorë dhe u nderua me mbi 150 çmime ndërkombëtare për planifikim.
KCAP Urbanistë dhe arkitektë është një studio holandeze me seli në Rotterdam (Holandë), Zyrih (Zvicër) and Shanghai (Kinë) për arkitekturën, krijimin e hapësirave urbane dhe urbanistikën, e themeluar nga Kees Christiaanse në vitin 1989. Gjatë 20 viteve të fundit, KCAP-ja vetëpërcaktohet si një nga praktikat kryesore ndërkombëtare në fushën e arkitekturës dhe urbanistikës.
Studio West 8
Zyra:    West 8 është një nga zyrat e themeluara në vitin 1987, që ka fituar çmimin ndërkombëtar të planit urbanistik dhe arkitekturës urbane. Në këto 20 vitet e fundit, West 8 është vetëpërcaktuar si një nga aplikuesit kryesorë me një ekip ndërkombëtar prej 70 arkitektësh, urbanistësh, si dhe inxhinierë multidimensionalë. Zyra kryesore West 8 e ka selinë në portin e Roterdam-it, dhe ka tri filiale në Belgjikë, Nju Jork dhe Toronto.

Juria
Lulzim Basha, kryetar i Bashkisë së Tiranës
Giles Robin Dolphin, ish-kryeurbanist në Londër
Filip Rode, drejtor Ekzekutiv i Shkollës Ekonomike në Londër
Daniel Libeskind, Kryearkitekti i studios Daniel Libeskind në SHBA
Prof. Dr.Sarah Whiting, Dekane e Shkollës së Arkitekturës në Universitetin Rice, SHBA
Prof. dr. Agron Lufi, pedagog në Fakultetin e Arkitekturës, Tiranë
Apollon Baçe, drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës
Flamur Kuçi, këshilltar i Kryeministrit Berisha dhe urbanist i njohur
Ulrike Bega, këshilltare e kryetarit të Bashkisë, Shqipëri. Arkitekte dhe urbaniste me seli në Gjermani dhe Shqipëri.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›