E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbia e Kosova*, bashkë në takimin e I-rë rajonal

Përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë kanë marrë pjesë në një takim rajonal, për herë të parë që nga nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal.

Në takimin që u zhvillua në Danillovgrad të Malit të Zi, me rastin i inicimit të platformës së Ballkanit perëndimor për arsim dhe trajnim, zëvendësministri serb i Shkencës, Zoran Kostiç është ulur pranë përfaqësueses së Ministrisë kosovare për Arsim, Riva Prekorogja.

Në tavolinën e delegacionit të Kosovës ka qëndruar mbishkrimi Kosovë, së bashku me yllin, raportojnë mediat në Podgoricë.

Kreu i delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Leopol Maurer, e ka vlerësuar si gjë të mirë për rajonin pjesëmarrjen e Kosovës dhe të Serbisë.

Prishtina dhe Beogradi, më 24 shkurt, kanë arritur marrëveshjen për bashkëpunimin rajonal, e cila parasheh prezantimin e Kosovës me fusnotë.

Kjo e fundit përmban Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.(rel)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›