E Diel, 1 Nëntor 2026

Hiqen nga qarkullimi qeset plastike

Nga mbledhjet e qeverisë

Plehrat do ndahen në kosha të veçantë. Vetëm qese të riciklueshme që nga janari i vitit 2013.

Vendimi i qeverisë: Ambalazhet e reja do të jenë me pagesë.

Shqipëria mban rekord për konsumin e qeseve plastike. Në tregje e markete ato jepen pa kriter, ndonëse në fund mbetjet që prodhohen i shkaktojnë një masakër të vërtetë mjedisit. Prodhimi i këtyre materialeve deri tani nuk ka pasur as rregulla dhe as standarde. Pavarësisht alarmit të ngritur disa herë se kërcënimi për shëndetin bëhet gjithnjë e më i lartë për shkak të lëndëve kimike që përmbajnë këto qese plastika, masat kanë qenë të pakta. Vendimi i fundit i qeverisë i miratuar dje duket se do ti japë fund kësaj situate. Sipas tij, në Shqipëri pas muajit shtator nuk do të lejohet prodhimi dhe importimi i qeseve plastike që nuk plotësojnë standardet. Ndërsa vitin që vjen, asnjë subjekt tregtar nuk do të mund të ofrojë shërbim me materiale të tilla. Nëse qeset plastike deri tani janë ofruar falas, pas afateve të vendosura konsumatori do ti blejë. Shitësit përcaktojnë çmimin e ambalazhit të mallrave që ambalazhohen në pikën e tyre të shitjes dhe e pasqyrojnë atë si zë më vete në faturën përkatëse që i lëshojnë blerësit, thuhet në vendimin e qeverisë. Në vendim janë përcaktuar edhe rregullat e afatet për riciklimin e mbetjeve të tilla, përqindja e përbërësve të lejueshëm, si dhe rregullat për vendgrumbullimet e diferencuara të mbetjeve. Përdoruesi shtëpiak dhe jo shtëpiak hedh mbetjet e ambalazheve në vendin e treguar për dorëzimin e mbetjeve të ambalazheve nga subjektet e përcaktuara në pikën 1 të këtij kreu, dhe në vendet e përcaktuara nga njësia e qeverisjes vendore përkatëse, bazuar në rregulloren e miratuar prej saj, thuhet në vendim. Sipas tij, qeset plastike që do të hidhen në treg, do të kenë kode identifikuese dhe shkurtimin e emërtimit të materialeve të ambalazheve. Subjektet e përcaktuara në pikën 1 të këtij kreu marrin masa që brenda muajit janar 2013 të sigurojnë që shënimet mbi ambalazh të jenë të qarta, të lexueshme dhe të qëndrueshme, edhe pasi të jetë hapur ambalazhi, thuhet në vendim. Subjektet duhet ti vendosin shënimet e sipërpërmendura mbi ambalazh ose mbi markën e tij.

Grumbullimi
Sipas vendimit, prodhuesi i mallrave të ambalazhuara dhe tregtarët duhet të paguajnë për ngritjen dhe funksionimin e sistemeve të kthimit e rikuperimit të mbetjeve të ambalazheve. Këtë procedurë ata mund ta bëjnë individualisht
apo në bashkëpunim ndërmjet tyre, brenda një afati prej 4 vjetësh nga hyrja në fuqi e vendimit.

Riciklimi
Subjektet tregtare do të kryejnë transportin e mbetjeve të ambalazheve që shkojnë për ripërdorim apo riciklim. Këtë proces sipas vendimit duhet ta kryejnë me mjete të përshtatshme, në mënyrë të diferencuar, të mbetjeve të ambalazheve dhe në asnjë rast nuk lejojnë transportimin e mbetjeve bashkiake të përziera.

Vendimi
Ndalohet prodhimi, importimi dhe hedhja në treg e qeseve plastike nën 30 µ (mikron) (15 për çdo anë).
Mbas datës 1 shtator 2012  ndalohet prodhimi dhe hedhja në treg e qeseve plastike të pabiodegradueshme nga të gjithë operatorët ekonomikë.
Mbas datës 1 shtator  2012 ndalohet importimi i qeseve të plastikës të pabiodegradueshme.
Mbas datës 1 janar 2013  ndalohet përdorimi dhe tregtimi i qeskave plastike të pabiodegradueshme nga të gjitha njësitë tregtare.
Ndalohet transporti i mbetjeve të ambalazheve me mjetet që transportojnë mbetje organike të përziera shtëpiake/bashkiake.
Prodhuesit e ambalazheve, të  materialeve të ambalazheve dhe të mallrave të ambalazhuara prodhojnë ambalazhe dhe materiale ambalazhesh apo tregtojnë ambalazhe, me kusht që shuma e niveleve të përqendrimit të plumbit, kadmiumit, merkurit ose kromit hekzavalent të pranishëm në ambalazh apo pjesë të ambalazhit, brenda afateve kohore të mëposhtme, nuk kapërcen:
gjashtëqind ppm të peshës, deri më 30 qershor 2014;
dyqind e pesëdhjetë ppm të peshës, deri më 30 qershor 2015;
njëqind ppm të peshës, deri më 30 qershor 2017.

Riciklimi
Çdo prodhues i mallrave të ambalazhuara do të rikuperojë dhe do të riciklojë minimalisht sasitë e përcaktuara më poshtë të ambalazheve dhe mbetjeve nga ambalazhet
Jo më vonë se data 30 qershor 2017 rikuperon ose incineron në incineratorë mbetjesh me rikuperim energjie 50-65% të mbetjeve nga ambalazhet e gjeneruara në territorin e Republikës së Shqipërisë, riciklon 25-45% të totalit të peshës totale të materialeve që përmbahen në mbetjet e ambalazhit dhe të paktën 15% të peshës për secilin material në veçanti
Jo më vonë se data 31 dhjetor 2019 rikuperon ose incineron në incineratorë mbetjesh me rikuperim energjie 60% të mbetjeve nga ambalazhet; riciklon 55-80% të peshës së ambalazheve; riciklon sipas llojit të materialit të mbetjes së ambalazhit.

ZIRINA LLAMBRO

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›