E Shtunë, 31 Tetor 2026

Demonstrata, masa e sigurise per 13 nga 113 te arrestuar mbyllet takimi Rama-Topi

TIRANE - Gjykata nis vlerësimin e masave të sigurisë për 113 të arrestuarit në demonstratën e 21 janarit. Deri tani masat e sigurisë kanë qenë arrest me burg 20 ditë dhe për disa të tjerë detyrim me paraqitje. Rama apel në median italiane: Ndërkombëtarët të ndërhyjnë.Kerkon takim me Presidentin e Republikes. Mazhoranca ne mbledhje te jashtezakonshme te Kuvendit ngre komision hetimor pa pranine e opozites. Kryeministri kërcënon Edi Ramën dhe sulmon prokuroren e Pergjithshme, e SHISH.

MBYLLET TAKIMI RAMA-TOPI
Ora 14:50-Përfundon takimi mes Presidentit Topi dhe kreut të PS-së Edi Rama. Takimi I filluar në orën 13. 30 minuta ka përfunduar në 14. 52 minuta. Kryetari I PS-së nuk ka dhënë asnjë prononicm për median, duke njoftuar për një konferencë për shtyp në orën 15.00 nga selia rozë.

PROTESTE PARA DREJTORISE SE POLICISE
Ora12. 45 Disa deputetë të PS-së dhe dhjetëra gra kanë protestuar rreth orës 12. 40 para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ata kërkojnë të lirohen nga policia disa të afërm të mbajtur në komisariat që nga dita e premte, kur u zhvillua demonstrata e opozitës.

RAMA TAKON TOPIN NË PRESIDENCE SOT NE 13:30
ORA: 12:14 Kreu i Partisë Socialiste i kërkon takim presidentit të Republikës Bamir Topi për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit pas demonstratës së 21 janarit. Zyra e shtypit pranë presidencës konfirmon zyrtarisht se takimi me kërkesë të Edi Ramës do të zhvillohet në orën 13. 30 në Presidencë.

JEPET MASA E SIGURISE PER 11 TE ARRESTUAR
ORA: 12:00 Gjykata e Tiranës vazhdon vlerësimin e masës së sigurisë për të ndaluarit gjatë demonstratës së 21 janarit. Për Arben Kacorrin, nga Tepelena, Lindita Balavia, 34 vjec dhe Erald Bruçi, 20 vjec nga Tirana, Aldi Lleshi, Romeo Shahini, Julian Sulaj dhe Ermal Gjoni u dha masa e sigurisë “detyrim me paraqitje“. Për Azem Ukaj, Xhulian Topalli, Berti Mema, dhe Behar Gega u dha masa e arrestit 20 ditë burg. Ata akuzohen për shkatërrim prone dhe kundërshtim të forcave të policisë.

GJYKATA: 20 DITE BURG PER 2 TE ARRESTUAR ME 21 JANAR
Ora 11: 30 Deri në orën 11. 26 minuta është dhënë masa e arrestit 20 ditë burg për dy protestues, Elvis Startalli dhe Tomor Bermeta. Në Gjykatën e Tiranës pritet të jepet masa e sigurisë dhe për 111 të arrestuarit e tjerë.  Masa e sigurisë po vlerësohet nga 11 gjyqtarët të seksionit penal dhe civil të Gjykatës së shkallës së parë të Tiranës.  

RAMA: ITALIA E BE TE DENOJNE DHUNEN E SHTETIT
Italia dhe BE nuk duhet të pranojnë në Shqipëri një realitet të papranueshëm për botën demokratike dhe të dënojnë dhunën e shtetit i cili vret njerëz të pafajshëm”: Ky është apeli që lideri i partisë socialiste ka bërë sot në mëngjes në një bashkëbisedim me gazetarët italianë.
Europa- ka shtuar Rama- nuk mund të pranojnë që në Shqipëri të mund të ndodhin gjëra që nuk do të pranonin kurrë të ndodhnin në vendet e tyre, në bazë të principeve, vlerave të panegociueshme: që njerëzit vdesin sepse protestojnë o sepse opozita përfukizohet “bastarde nga qeveria”

MASA E SIGURISE PER 113  TE ARRESTUARIT, PEZULLON PUNEN NORMALE TE GJYKATES
Ora 09:00- Kanë nisur në gjykatën e Tiranës seancat për vlerësimin e masave të sigurisë për 113 të arrestuarit nga policia gjate demostratës së 21 janarit në kryeqytet. Të arrestuarit akuzohen për “dhunim te institucioneve kushtetuese”, “prishje rendi e qetesisë publike” dhe “kundërshtim të forcave te rendit”.
Gjykimi i 113 personave ka angazhuar pjesën më të madhe të gjyqtareve në gjykatën e Tiranës, të cilët kanë pezulluar gjyqet e tjera që ishin planifikuar për ditën e sotme.

Burime nga prokuroria sqaruan se prokuroria kishte dorëzuar në gjykatë 6 urdhërarrestet për gardistët e akuzuar si përgjegjës për vrasjen e tre protestuesve ditën e premte. Kjo pasi me pare urdherarrestet duhen ekzektutuar nga policia e cila prej me shume se 48 ore refuzon te ekzekutoje vendimin.

Sipas burimeve pranë organit të akuzës të Tiranës të cilat u referohej dje NEWS24  urdhër-arresti është prerë për Ndre Prendin, Komandanti i Përgjithshëm i Gardës se Republikës, Alfred Ahmetaj Zevendëskomandati i Gardes së Republikës, Dashamir Shehu, shef i njësisë nr. 2 në Garde, Fran Prenga, Drejtor i Njësisë Speciale në Gardën e Republikës, Vladimir Ndreaj, Komandant Nuk dihen ende emri i një tjetër drejtuesi të gardës, për të cilin është prerë urdhër-arresti.

TV NEWS24, që prej pasdites së demonstratës së 21 janarit, transmetoi pamjet e vrasjes së Ziver Veizit para derës së kryeministrisë. Kamera fokusoi momentin kur një ushtar i ulur në gjunjë nga një dritare në krah të godinës së kryeministrisë qëllon me automatik dhe një demonstrues bie në tokë mbrapsht.

KUVENDI MIRATON NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR PËR DEMONSTRATEN
Ora 22:07 ( 23 janar) Në orët e vona të mbrëmjes mazhoranca pa praninë e opozitës u mblodh ne nje mbledhje te jashtezakonshme te Kuvendit te Shqipërisë  per te miratuar "ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për hetimin e veprimtarisë së institucioneve shtetërore për zbulimin, identifikimin, përballimin, neutralizimin, pengimin dhe ndëshkimin e veprimit të organizuar kriminal, për dhunimin e institucioneve dhe përmbysjen e rendit kushtetues, më 21 janar 2011". Komisioni u miratua me 73 vota pro.
Sipas vendimit, objekt i punës së komisionit është hetimi rreth veprimtarisë së aktorëve të përfshirë për zbatimin e ligjit 'për tubimet', në demonstratën e 21 janarit. Po ashtu, objekt është edhe hetimi rreth veprimtarisë së institucioneve shtetërore, sipas kompetencave në legjislacionin respektiv për zbulimin dhe identifikimin paraprak të kërcënimeve dhe sinjaleve për organizimin e veprimit kriminal për përmbysjen me dhunë të rendit kushtetues.Miratimi i ngritjes së komisionit u bë gjatë një seance jashtë radhe të parlamentit, ku opozita nuk mori pjesë.

Po dje paradite u zhvillua ceremonia mortore e dy prej viktimave të demonstratës, e Ziver Veizit dhe Faik Myrtajt. Ndërsa dje pasdite, kryeministri Sali Berisha sulmoi prokuroren e Përgjithshme Ina Rama duke e akuzuar se po punon me dy standarde dhe kërcënon liderin e opozitësEdi Rama që, në rast se do të tentojë të bëjë sërish demonstrata, “do të gjejë atë që meriton një bandit”. Kreu i ekzekutivit e lëshoi këtë deklaratë në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, ndërkohë që disa minuta më pas vetë Rama u përgjigj se do të jetë vetë në ballë të protestave.

BERISHA NË KUVEND: SHISH ASNJË INFORMACION PËR GRUSHTIN E SHTETIT
ORA 21:30, (23 janar)- Ashtu sic e paralajmëroi kryeministri Berisha në mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë, Parlamenti u mblodh për të ngritur një komision hetimor në lidhje me demonstratën e 21 Janarit.
"Organizatori i vrasjeve në demonstratën e 21 janarit është Edvin Rama dhe në çdo rrethanë do të kërkoj hetim për çdo jetë të humbur", deklaroi sot në Kuvend kryeministri i vendit, Sali Berisha, gjatë seancës se parlamentit të mbledhur jashtë radhe.

Berisha u shpreh se SHISH nuk dha asnjë informacion paraprak për grushtin e shtetit të opozitës. prandaj sipas tij do ngrihet komision hetimor parlamentar. "Që po përgatitej dhuna këtë e kemi ditur të gjithë pasi kemi marrë të dhëna të gjithanshme se po paguheshin persona, por këtë të dhënë një institucion në Shqipëri nuk e kishte marrë dhe ky është SHISH-i. Në datën 20 janar me shkresë zyrtare SHISH dërgon zero të dhëna në Kryeministri. Se çfarë i mbylli sytë dhe veshët këtij shërbimi kjo është punë e tyre", tha Berisha.
"Në këto rrethana, kur u sulmua Kryeministri i vendit nga kryetari i opozitës për t'i marrë karrigen në mes të ditës dhe kur kërkohet ndëshkimi i kolektiv i gjithë zinxhirit të gardës, kur agjencia kryesore e SHISH i ka dhënë zero të dhëna policisë, ftoj të ngrihet komisioni hetimor parlamentar", tha Berisha.

(s.g/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO - NEWS24: VRASJA PARA KRYEMINISTRISE Berisha: Policia ndali një grusht shteti.Dalloi qytetarin nga krimineli Foto - NEWS24 fokuson vrasjet para kryeministrisë Kur jeta të nisë të marrë vlerë... (Nga: ALBA MALLTEZI) Garda, “thika pas shpine” Berishës... (Nga: ERION TASE) Foto - Demonstrata, homazhe për Faik Myrtajn Video - Demonstrata, i jepet lamturmira e fundit Ziver Veizit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›