E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulku: Rama, ish-kryebashkiaku më armiqësor me biznesin

09-12-2012 / Gazeta 55

Drejtues të pushtetit vendor dhe qendror vijojnë takimet me biznesin e vogël

Bizneset janë shprehur të kënaqur dhe të lehtësuar me uljen e taksave vendore nga ana e Bashkisë. Kështu kanë deklaruar tregtarët gjatë një inspektimi në tregun e Medresesë nga përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror. Deputetja e Partisë Demokratike, Rajmonda Bulku, anëtari i kryesisë së PD-së, Kryeregjistruesi Arben Qirjaku, si dhe kryetari i Njësisë Bashkiake numër 4, Hysen Gjura, janë takuar me biznese të tregut përgjatë rrugës “5 Maji”, për t’u njohur me problemet e tyre dhe për të parë se çfarë mund të përmirësohet edhe më tej.
“Ne si biznes kemi përfituar shumë me ardhjen e zotit Lulzim Basha si kryetarë Bashkie, pasi është bërë e mundur ulja e taksave. Ne sot nuk mund t’i besojmë një modeli qeverisës që e provuam 11 vjet dhe rezultoi totalisht kundër biznesit”, deklarojnë biznesmenët.
Pas takimeve dhe njohjes me problemet e tregtarëve në tregun e medresesë, deputetët e mazhorancës arritën në të njëjtin konstatim.
Deputetja e PD-së, Rajmonda Bulku, e ka cilësuar premtimin e Ramës për heqjen e taksës për biznesin e vogël një premtim elektoral për të mashtruar ata që mund të mashtrojë.
“Edi Rama, ka qenë për 11 vite kryetar bashkie dhe në raport me biznesin, sidomos me biznesin e mesëm dhe të vogël, ishte personi me armiqësor, që rriti taksa pafund, që ua vështirësoi punën dhe ekzistencën këtyre bizneseve, dhe sot pretendon me një gënjeshtër politike që i duhet për fushatë, heqjen e taksave”, u shpreh Bulku.  
Deputetja e Partisë Demokrate, Rajmonda Bulku, theksoi se gjatë qeverisjes së kryebashkiakut Basha janë ulur taksat në mënyrë të ndjeshme duke i dhënë një frymëmarrje të re biznesit të vogël në Tiranë. 
Ndërkohë, përfaqësuesit e biznesit të vogël i kanë quajtur qesharake premtimet e Ramës në lidhje me heqjen e taksave për biznesin e vogël. Sipas tyre,  një njeri që për 11 vjet vetëm i rriti taksat nuk mund të besohet sot se do t’i heqë ato. 
Biznesi beson se kjo është një manovër elektorale, për të thënë se po i heq taksat dhe në fakt ato do t’i shumëfishojë, duke i klasifikuar në të njëjtin regjistër me bizneset e mesme apo të mëdha. Tregtarët u shprehën se edhe taksa e gjelbërimit dhe e tabelës i ka lehtësuar ata duke paguar veç një euro për taksën e tabelës.
Ndërkohë gjatë këtij muaji pritet edhe një bum i biznesit si pasojë e festave të fundvitit që rritin ndjeshëm xhiron e bizneseve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›