Kolegji i ri Zgjedhor - anëtarët e rinj betohen para Presidentit Bujar Nishani
Tetë anëtarët e Kolegjit Zgjedhor të përzgjedhur nga shorti një ditë më parë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë kanë bërë betimin dje paradite para Presidentit të Republikës, Bujar Nishani në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në Pallatin Mbretëror, ku ishin të pranishëm Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, anëtarët e KLD-së dhe të Kabinetit të Presidentit si dhe Kryetari i Gjykatës së Apelit të Tiranës, Alaudin Malaj.
Pas leximit të formulës së betimit nga Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa në të cilën thuhet, “Betohem solemnisht se do të respektoj, do të mbroj dhe do t’i bindem Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë, se do të respektoj të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe do të përmbush detyrat e mia, betohem se do të kryej detyrën time me të gjitha mundësitë dhe në mënyrë të paanshme, të drejtë dhe pa favorizuar ndonjë person apo parti”, anëtarët e rinj të Kolegjit Zgjedhor, të zgjedhur dje me short nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Andi Civici, Edlira Petri, Fuat Vjerdha, Gjinovefa Gaba, Ilir Toska, Kriton Spahiu, Petrit Çeno dhe Valbon Çekrezi me dorën mbi Kushtetutë, u betuan para Kreut të Shtetit shqiptar.
Presidenti Nishani dhe njëkohësisht Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë u uroi anëtarëve të rinj të Kolegjit Zgjedhor punë të mbarë dhe suksese në detyrën e tyre të rëndësishme në zbatim të Kushtetutës dhe të ligjit.