E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presim sinjalin e OKB-së

Solana: BE është në pritje të sinjaleve pozitive të Ban Ki Mun për fillimin e EULEX-it

Bashkimi Evropian është në pritje të sinjaleve pozitive nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, për fillimin e misionit EULEX në Kosovë. Ishte kjo deklarata e shefit të diplomacisë evropiane, Havier Solana, i cili tha se është në kontakt të vazhdueshëm me Ban Ki Mun. “Brenda 15 qershorit, ne duam që situata në terren të jetë në drejtimin e duhur. Kemi kontakte të vazhdueshme me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për të gjetur një zgjidhje për këtë. Ndaj, shpresoj që brenda pak ditësh do të mund të raportoj progres në këtë drejtim”, - tha Solana. Misioni i ri i Bashkimit Evropian ishte planifikuar fillimisht që të zbarkonte në Kosovë më 15 qershor, datë në të cilën hyn në fuqi dhe kushtetuta e re e vendit. Por kjo do të jetë e pamundur, për shkak se vendet anëtare të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovë, kërkojnë një sinjal të qartë nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun. Serbia dhe Rusia i kundërvihen gjithashtu misionit të BE-së, me pretendimin se ai do të zyrtarizojë pavarësinë e Kosovës. Sipas paketës së diplomatit finlandez, Marti Ahtisari, pas shpalljes së pavarësisë, Kosova do t’u nënshtrohet 120 ditëve tranzicion, pas të cilave përgjegjësitë më të mëdha do të transferohen nga UNMIK-u tek autoritetet kosovare, ndërsa BE-ja do të ndërmarrë përgjegjësitë për mbikëqyrjen e ligjit dhe sigurisë në vend.

UNMIK: “Presim instruksionet”

Kombet e Bashkuara do të marrin një vendim për riorganizimin e UNMIK-ut brenda pak ditësh. Lajmi u njoftua dje nga një zëdhënës i misionit të OKB-së në Kosovë, Aleksandër Ivanko. “Do të japim informacion më të detajuar mbi të ardhmen e prezencës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, kur të kemi marrë instruksionet e duhura”, - tha ai. UNMIK-u, i vendosur në Kosovë që pas konfliktit të vitit 1999, planifikon të rikonfigurohet pas 15 qershorit, datë në të cilën hyn në fuqi kushtetuta e re dhe kalimi i kompetencave tek institucionet kosovare. Ndërkohë, UNMIK-u do t’i dorëzojë autoritetin e tij në fushën e sigurisë misionit të ri të BE-së, EULEX, që do të zbarkojnë pas disa muajsh në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›