Bie Meta

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet ta rrëzojë pas shqyrtimit sot, kërkesën e Komitetit për Mbrojtjen e Kushtetutës, për zhvillimin e referendumit që synon shfuqizimin e ndryshimeve të 21 prillit të Aktit Themeltar të Shtetit (Kushtetutës). Komisioni do të përqendrohet tek përcaktimi, se në cilin prej dy neneve kushtetues do të bazohet për të marrë vendimin e pranimit ose jo të kërkesës, dhe dhënien ose jo të fletëve “tip”. Zyrtarë të lartë të komisionit i thanë “Korrierit” se, pikësëpari, do të saktësohet nëse do të merret për bazë neni 150, që flet për referendumin e përgjithshëm, apo neni 177, që saktëson procedurat e referendumit për ndryshimet kushtetuese. Shumica e anëtarëve të KQZ-së pritet pikërisht të kërkojnë marrjen për bazë të nenit 177, çka do të rrëzonte kërkesën për mbajtjen e referendumit. Sipas këtij neni të Kushtetutës, nisma për rishikimin e saj mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit, e se projekti duhet të miratohet nga jo më pak se dy të tretat e deputetëve. Neni në fjalë nuk flet për mbledhje firmash nga populli, sikundër kërkon të bëjë Komiteti për Mbrojtjen e Kushtetutës. Për këtë arsye, KQZ-ja pritet të mos i japë fletët “Tip” të kërkuara komitetit, pasi procedura do të ishte joligjore. Gjithsesi, edhe nëse KQZ-ja do ta rrëzojë referendumin, Gjykata Kushtetuese nëse i bën një tjetër interpretim, pra sipas nenit 150, atëherë KQZ-ja është e detyruar të pajisë me fletët “Tip” Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës, e po ashtu të organizojë procesin pas shpalljes së datës nga Presidenti i Republikës. Nëse sot ndodh e kundërta, ndërsa sinjalet janë se kërkesa do të rrëzohet, sërish referendumi nuk mund të thuhet se do të mbahet. Pra, edhe nëse interpretimi sot bëhet bazuar tek neni 150, që kërkon mbledhjen e firmave nga të paktën 50 mijë shtetas me të drejtë vote dhe komiteti pajiset me fletët “Tip”, është Gjykata Kushtetuese që do të japë verdiktin përfundimtar, e nëse ai është negativ, atëherë procesi nuk zhvillohet. Gjithsesi, shumica e anëtarëve të KQZ-së, përjashto atë të LSI-së, pritet të votojë kundër pranimit të kërkesës, bazuar në nenin 177, që saktëson ashtu sikundër sqarohet më tej edhe në Kodin Zgjedhor, se procedura e vetme për zhvillimin e referendumit për ndryshimin e Kushtetutës bëhet vetëm me mbledhjen e firmave të një të pestës së deputetëve. Madje, po sipas kodit, edhe kjo kërkesë duhet të ishte dorëzuar tek sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, çka nuk ka ndodhur brenda 15 ditësh pas miratimit të ndryshimeve. Nisur nga raportet në KQZ, ashtu sikundër edhe në Gjykatën Kushtetuese, referendumi i kërkuar për shfuqizimin e neneve kushtetuese, që përcaktojnë sistemin proporcional rajonal, zgjedhjen e presidentit me shumicë të thjeshtë në raundin e dytë, të drejtën e kryeministrit për të çuar vendin në zgjedhje falë mocionit të besimit, pritet të rrëzohen. Megjithatë, socialistët kanë lënë një derë të hapur për të zhvilluar një të tillë, pas zgjedhjeve të vitit 2009, nëse vërtet në ndryshimet e miratuara më 21 prill, do të rezultojë se të jetë bërë ndonjë gabim. saqellari@korrieri.com
Kushtetuta
Neni 150
1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.
2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.
3. Parimet dhe procedurat për zhvillimin e referendumit, si dhe vlefshmëria e tij parashikohen me ligj.
Neni 177
1. Nisma për rishikimin e Kushtetutës mund të ndërmerret nga jo më pak se një e pesta e anëtarëve të Kuvendit.
2. Asnjë rishikim i Kushtetutës nuk mund të ndërmerret gjatë kohës kur janë vendosur masat e jashtëzakonshme.
3. Projekti miratohet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
4. Kuvendi mund të vendosë, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij, që projektamendamentet kushtetuese të votohen me referendum. Projektligji për rishikimin e Kushtetutës hyn në fuqi pas ratifikimit me referendum, i cili bëhet jo më vonë se 60 ditë nga miratimi i tij në Kuvend.
5. Amendamenti kushtetues i miratuar, i nënshtrohet referendumit, kur këtë e kërkon një e pesta e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
6. Presidenti i Republikës nuk ka të drejtë ta kthejë për rishqyrtim ligjin e miratuar nga Kuvendi për rishikimin e Kushtetutës.
7. Ligji i miratuar në referendum shpallet nga Presidenti i Republikës dhe hyn në fuqi në datën e parashikuar në këtë ligj.
8. Rishikimi i Kushtetutës për të njëjtën çështje nuk mund të bëhet përpara se të ketë kaluar një vit nga dita e rrëzimit të projektligjit në Kuvend dhe jo më përpara se të kenë kaluar 3 vjet nga dita e rrëzimit të tij në referendum.