Digjet flamuri i BE-së

Një betejë e vërtetë shpërtheu dje në Bruksel mes policisë belge dhe peshkatarëve evropianë. Këta të fundit mbajtën dje një protestë në kryeqytetin e Belgjikës, duke protestuar para selisë së Bashkimit Evropian kundër çmimit të lartë të naftës. Delegacioni i peshkatarëve nga vende të ndryshme të BE-së ishte planifikuar të takohej me komisionerin evropian të peshkimit, Xho Borg, por zyrtari ndodhej në Rigë. Kështu, delegacioni u takua me disa anëtarë të kabinetit të tij, por përgjigjja ishte jo shumë inkurajuese për protestuesit. “Nuk ka një zgjidhje të menjëhershme, edhe pse kriza është e tillë. Zgjidhjet janë afatmesme dhe Komisioni Evropian inkurajon shtetet anëtare të ndërhyjnë duke përdorur fondin evropian për peshkimin. Por nuk janë të mundura ndihmat e shtetit në këtë situatë”, - tha njëri prej anëtarëve të stafit të Borg. Filip Margod, një peshkatar francez, tha se çmimi i naftës detare është rritur me 1/3 në vetëm 4 muajt e fundit. “Nafta është shumë e shtrenjtë. Franca vendosi një mekanizëm dy vjet më parë, duke u dhënë peshkatarëve një paketë kompensimi, por Evropa tha jo. Ndaj kemi ardhur këtu, për t’i thënë Evropës që të ndalojë së futuri hundët, ndërsa qeveria franceze po përpiqet të na ndihmojë”, - tha ai. E ndërsa vazhdonin ende bisedimet në ndërtesën e pallatit “Berlaymont”, ku ndodhen zyrat e Komisionit Evropian, protestuesit nisën “luftën” me gurë dhe bombola tymuese, duke dëmtuar xhamat e ndërtesës, ndërsa përmbysën edhe disa automjete.
Menjëherë ndërhyri policia, e cila iu përgjigj protestuesve me topa uji dhe shkopinj gome, ndërsa helikopterët fluturonin mbi turmën e inatosur.
Peshkatarët kanë deklaruar se do të pezullojnë biznesin, nëse BE nuk i lejon qeveritë e vendeve të tyre t’u japin më shumë ndihma financiare dhe subvencione për karburantin. Peshkatarët francezë po protestojnë prej disa javësh kundër çmimit të lartë të naftës, i cili është rritur me 240 për qind në 5 vitet e fundit. Gjatë ditëve të fundit, atyre u janë bashkangjitur peshkatarë nga Britania e Madhe, Spanja, Portugalia dhe Italia, të cilët kanë bllokuar portet thuajse në të gjithë Evropën, si dhe shoferët e kamionëve.