Njeriu me 26 gishta i thotë jo operacionit

VLORË - Ka lindur me 26 gishta, plot 6 më shumë se çdo njeri normal. Gentian Mehmeti, 23 vjeç, banues në fshatin Picar të Vlorës, është një djalë shumë normal, por e veçanta në të qëndron në faktin, se ai ka 7 gishta në secilën dorë dhe 6 gishta në secilën këmbë. Ai tregon për gazetën, se jeton dhe punon normalisht. “Kam lindur kështu, me këtë mutacion, por nuk kam asnjë pengesë për të jetuar normalisht, madje ndihem i barabartë me të tjerët”, tregon ai. 23-vjeçari punon në fshat, nget makinën, vesh këpucë e atlete normale, pavarësisht numrit shtesë të gishtave në duar e këmbë. “Nuk di të them nëse gishtat e tepërt më pengojnë, pasi unë kështu kam lindur dhe nuk e konceptoj dot veten time ndryshe”, shpjegon ai. Gentiani rrëfen iniciativën që mori 2 vite më parë për të hequr gishtat shtesë në duar e këmbë, përmes një operacioni në spitalin e Tiranës. “Në momentin e fundit ndërrova mendje, pasi i thashë vetes se kjo ishte dhuratë e Zotit”, pohoi i riu besimtar, ndërsa shton se një pacient i shtruar në spital e kishte rekomanduar gjithashtu të mos operohej. Krejt papritur, atëherë kur dukej se e veçanta e tij do të përfundonte në koshat e kirurgjisë, 23-vjeçari ndërroi mendje dhe u largua nga spitali, pasi njoftoi më parë mjekun përkatës.