E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgari/ Partia "GERB" fiton zgjedhjet parlamentare

Partia e qendrës së djathtë GERB e kryetarit të bashkisë së Sofjes, Boiko Borisov, fitoi 39,7 për qind të votave në zgjedhjet legjislative të ditës së djeshme në Bullgari, mësohet nga rezultatet zyrtare pas numërimit të 99,88 për qind të fletëve të votimit. Borisov, i cili e ka themeluar këtë parti në vitin 2006, deklaroi dje se do të formojë së shpejti një qeveri, por ndërkohë nuk pranoi të përmendte emrat e partnerëve të mundshëm në koaliconin e ardhshëm qeveritar.
Partia Socialiste e kryeministrit të deritanishëm, Serguei Stanichev, pësoi një disfatë të rëndë duke marrë me vështirësi 17,72 për qind të votave ose 40 vende. Kjo parti i ka fituar zgjedhjet legjislative të 2005-s me 33,98 për qind të votave. Partneri i saj liberal në qeveri, MDL-ja (minoriteti turk), arriti të marrë 14,47 për qind të votave (38 vende), duke përmirësuar pak rezultatin e përpara katër vjetëve (14,07).
Tre grupime të tjera hyjnë në parlament, ndër të cilët nacionalistët e Ataka-s që do të kenë 21 deputetë me 9,37 për qind (8,93 për qind në vitin 2005). Koalicioni blu, partner i GERB-it në partinë popullore evropiane, fitoi 15 vende me 6,73 për qind (15,53 për qind në vitin 2005) dhe partia e re populiste Rend, barazi, drejtësi (RZS) 10 vende me 4,13 për qind. Ato kanë deklaruar të gjitha se janë të gatshme të mbështetsin një qeveri të krijuar nga GERB-i.
Partia e ish-mbretit Simeon II, që ka qeverisur vendin nga 2001 deri në vitin 2005 dhe ka dalë e dyta me 21,83 për qind në vitin 2005, nuk e kapërceu kuotën e duhur prej 4 për qind për të hyrë në parlament.
Rezultatet përfundimtare zyrtare dhe ndarja e 240 vendeve do të njoftohen ditët e ardhshme. Partia GERB do të ketë 116 vende nga 240 gjithsej. Parlamenti do të thirret më 14 korrik.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›