E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgari, lirohet nga paraburgimi Agim Çeku

 

Lirohet nga para-burgimi ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku. Sipas agjencisë së lajmeve AFP, i arrestuar pas një fletarresti të Serbisë, me akuzën e krimeve të luftës, Çeku u lirua pas një seance dëgjimore, ku u diskutua mbi vazhdimësinë e burgimit të tij. "Nuk jam shtetas serb dhe kurrë nuk do të jem. Serbia nuk mund të kërkojë ekstradimin e shtetasve të huaj",- mësohet të ketë thënë ish-kryeministri i Kosovës para gjykatës. Lirimin nga paraburgimi të Agim Çekut e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Albana Beqiri, e cila ka thënë se ai shumë shpejtë do të kthehet në Kosovë. Ndërkohë, thuhet se Agim Çeku nuk do të mund të braktisë territorin e Bullgarisë brenda 40 ditëve, sepse ky është afati brenda të cilit shqyrtohet kërkesa e Beogradit për ekstradim. Mësohet se gjatë seancës së djeshme, avokatët e Agim Çekut kanë sjellë si dëshmi letrën e kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi, me të cilën dëshmohet se ish-kryeministri i Kosovës ka status diplomatik, por edhe letrën e Kombeve të Bashkuara, në të cilën thuhet se i arrestuari është nën kompetencat e misionit të Kombeve të Bashkuara. Dëshmia e tretë e paraqitur është letra e kryesuesit të Komitetit për politikë të jashtme, Solomon Pasi, i cili pohon se Çeku ka pasur ftesë zyrtare për të vizituar Bullgarinë. Ai u arrestua të martën në mbrëmje në vendkalimin ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Interpoli i Serbisë, ndërsa po udhëtonte për një vizitë zyrtare në Sofje. Kjo nuk është hera e parë që Agim Çeku arrestohet në bazë të fletarresteve të Interpolit serb. Pak kohë më parë ai u ndalua në Kolumbi, prej nga ishte dëbuar dhe i ishte ndaluar hyrja në këtë shtet për 10 vjet. Ndërkaq, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kërkojnë nga Interpoli që t'i ndalë arrestimet e kosovarëve mbi bazat e fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia, si në rastin e Çekut.  Presidenti Fatmir Sejdiu është shprehur se Interpoli duhet ta kuptojë se Kosova nuk është nën juridiksionin e Serbisë. Ndërkaq, veprimet e Qeverisë serbe, presidenti kosovar i sheh si përpjekje për të prishur imazhin e Kosovës dhe figurave të saj publike e politike. Sejdiu tha se nëse pyetet Serbia dhe merren për bazë listat e saj, aty hyjnë të gjithë ata liderë që shpallën dhe nënshkruan deklaratën e pavarësisë së Kosovës. Andaj, ai i konsideroi absurde këto arrestime dhe kërkoi stopimin e tyre në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›