E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dani Alvesh i jep finalen Brazilit

 

Brazil-Shtete të Bashkuara të Amerikës, finalja e Kupës së Konfederatave. Verdheblutë eliminuan mbrëmë vendasit e Afrikës së Jugut falë një goli të shënuar në minutat e fundit nga mbrojtësi i Barcelonës, Dani Alvesh. Futbollisti u fut në lojë si zëvendësues vetëm ë minutën e 75-të në vend të Andre Santos. 12 minuta më vonë falë një goditje dënimi të marrë me mjeshtëri në hyrje të zonës nga Ramirez, Alvesh çoi në cepin më të largët topin duke i dhënë Selecaos finalen. Në minutat e fundit të takimit brazilianët u mjaftuan me mbrojtjen e rezultatit duke u mbyllur që të gjithë në mesfushën e tyre. Duhet theksuar se afrikanët zhvilluan një ndeshje mjaft të mirë dhe vetëm fati dhe portieri Hulio Sezar u mohoi golin. Pienar, Çabalala dhe Parker në tri raste patën mundësi për të kaluar në avantazh skuadrën e tyre që në pjesën e parë të ndeshjes. Ndërsa Brazili i Dungës nga ana tjetër mendoi më shumë për mbrojtjen duke mos u orvatur shumë te porta e kundërshtarëve. Për herë të parë në këtë kompeticion Dunga i kishte dhënë më shumë rëndësi mbrojtjes duke vënë në qendër dy gjigandët, Lucio dhe Luisao. Afrika e Jugut e eliminuara e mbrëmjes së djeshme do të presë Kupën e Botës 2010.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›