Enciklopedia pastrohet nga anëtarët e Byrosë
ALMA MILE
Janë shtuar shumë emra e janë hequr të tjerë. Kanë mbetur krerët e Partisë Komuniste, por janë hequr shumë emra që kanë qenë në Byronë Politike. Realiteti i ri, në të cilin po jeton Shqipëria, por edhe hapësirat mbarë shqiptare shtrojnë kërkesa të reja. Kanë ndryshuar sistemet e vlerave. Pikërisht këtyre kërkesave të reja, përpiqet t'u përgjigjet Fjalori i ri Enciklopedik Shqiptar, në dy vëllimet e tij, i cili prezantohet sot në ambientet e Akademisë së Shkencave. Ky fjalor përfshin rreth 7300 zëra, ndaj rreth 5000 syresh që gjendeshin në botimin e parë të vitit 1985. Për të hartuar këtë vepër kanë punuar mbi 1100 hartues dhe 21 redaksi shkencore. Ndryshe nga botimi i 25 vjetëve më parë, është shtuar numri i zërave-persona, që zënë rreth 1/3 e vëllimit. Janë shtuar emrat e personaliteteve me ndihmesa e merita të veçanta në fusha të ndryshme të dijes, arsimit, fushave të ndryshme të artit, letërsisë, sportit, luftëtarë për çështjen kombëtare, në Shqipëri e Kosovë. Kriter i përfshirjes ka qenë veprimtaria kombëtare, vlera objektive e veprimtarisë së tyre dhe ndihmesa që kanë sjellë në fushën përkatëse. Fjalori i ri ka ndryshime themelore në bazën konceptuale në krahasim me Fjalorin e 1985, duke iu përshtatur realitetit të ri shqiptar. Fillimisht u mendua si një ribotim i veprës së vitit 1985, por në punë e sipër u pa se bëhej fjalë jo më për një ribotim, por për një vepër të re, që kërkon më shumë kohë dhe më shumë bashkëpunëtorë. Për-veçse në libër janë shtuar të tjerë emra, janë riparo edhe ata që ekzistonin tashmë, duke "eliminuar" ata që ndodheshin aty, jo për kontributin e tyre në histori, por për shkak të partishmërisë së tyre, apo për faktin që kanë qenë pjesë e Byrosë Politike. Ofrohet informacion për figura si Enver Hoxha, Hysni Kapo, Adil Çarçani, por janë hequr të tjerë, pa ndonjë rëndësi madhore në historinë e Shqipërisë. Në këtë botim janë përfshirë gjithë anëtarët e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Kosovës dhe akademikët shqiptarë të Maqedonisë, si dhe një listë e plotë e të gjithë personaliteteve shqiptare që kanë titullin profesor. Sigurisht nuk mungojnë njerëzit e artit dhe letrave në gjithë hapësirën shqiptare.