Trafikoi kokainë 10 vjet burg ish-studentes
TIRANE - Trafiku i 640 gramëve kokainë drejt Greqisë, dënoi me nga 10 vjet heqje lirie 3 persona dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Togat e zeza të kësaj gjykata dhanë verdiktin përfundimtar për Aurora Liçon dhe vëllezërit Pandush e Andrea Naslazi. Sipas vendimit të gjykatës, ata u deklaruan fajtorë për veprën penale të "trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve" dhe u dënuan me nga 10 vjet heqje lirie secili. Tre të pandehurit do të përfitojnë uljen e 1/3-ës së dënimit të tyre, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Aurora Liço, 23 vjeç, studente në Fakultetin e Mjekësisë, u arrestua nga policia në 27 tetor 2008, teksa po tentonte të kalonte drejt Greqisë në pikëkalimin kufitar të Kapshticës një sasi prej 640 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë. Një ditë pas arrestimit të saj, në prangat e policisë përfunduan edhe dy vëllezërit Naslazi, të dyshuar atëherë si furnitorët e studentes. Prokuroria identifikoi dy vëllezërit Naslazi, pasi gjeti numrat e tyre të telefonit, në aparatin telefonik të 23-vjeçares. Në seancën e pretencës, prokuroria kërkoi nga 11 vjet burg për të pandehurit. ar.ba