Digjet fabrika e mobilierisë, në pronësi të këngëtarit Veliaj
FIER - Një zjarr i fuqishëm shkrumboi dje fabrikën e prodhimit të mobilieve në Fier. Ngjarja që ndodhi në lagjen "Kryengritja e Fierit" i solli dëme të rënda materiale biznesmenit Ilir Veliaj. Punëtorët vunë re të parët se nga dritaret e katit të dytë të kësaj fabrike po dilnin re të dendura tymi e më pas edhe flakë. Ata kanë njoftuar menjëherë policinë e zjarrfikësit. Burime të policisë bënë të ditur se edhe një ditë më parë (të mërkurën) kishte rënë zjarr në ambientet e kësaj fabrike. Por flakët ishin vënë shumë shpejt nën kontroll derisa ishte shuar. Papritur, zjarri u shfaq dhe ditën e djeshme. Dyshohet se në brendësi të sfungjerëve nuk ishte shuar mirë zjarri, çka ka rindezur në flakë magazinën. Megjithë ndërhyrjen e djeshme të zjarrfikësve dhe ndihmës së dhënë edhe nga punëtorët e fabrikës, përpjekja rezultoi e kotë. Flakët përpinë shumë shpejt gjithçka, duke sjellë dëme materiale të konsiderueshme. Përreth godinës dykatëshe, ku ndodhej fabrika kishte edhe disa banesa që rrezikoheshin të përfshiheshin nga flakët. Zjarri ishte shumë i fuqishëm për shkak se në të dy katet e fabrikës ndodhej lënda e parë e prodhimit të mobilierive. Vetëm pas një ore zjarrfikëset kanë mundur të lokalizojnë ngjarjen. Sipas burimeve nga të dëmtuarit mendohet se zjarri ka shkaktuar një dëm ekonomik prej rreth 100 milionë lekësh. Dyshimet paraprake kanë të bëjnë me një ngjarje për shkak të ndonjë shkëndije elektrike. Biznesmeni Ilir Veliaj është i njohur edhe si këngëtar në Fier. m.r