Bullgaria kërkon vazhdimin e dialogut

Në një konferencë për media të shtunën pas vizitës së tij në Mitrovicë, Mladenov ritheksoi se i vetmi skenar për bashkëpunimin në rajonin e Ballkanit dhe integrimin në BE është ai i tolerancës dhe respektit ndaj popujve. Ai kërkoi vazhdimin e dialogut dhe që marrëveshjet e arritura të vihen në praktikë.
“Nëse nuk ka dialog, nuk mund të evitohen problemet e vërteta të qytetarëve dhe gjithçka tjetër përveç dialogut do të jetë kundërproduktive”, ka thënë Mladenov.
Duke iu referuar deklaratave të fundit të disa politikanëve serbë për shpalljen e pavarësisë së veriut të Kosovës, shefi i diplomacisë bullgare nënvizoi se zgjidhja duhet të jetë rezultat i dialogut në mes të palëve dhe se çdo zgjidhje tjetër apo përpjekje për të prezantuar vlera tjera, është e dëmshme.
“Në dhjetor duhet të merren vendime të rëndësishme brenda BE-së për Kosovën dhe Serbinë, andaj problemet duhet të evitohen, në mënyrë që të mos jenë pengesë për integrimin e këtyre vendeve”, ka thënë Mladenov.
Ai gjatë qëndrimit të tij ka vizituar edhe veriun e Mitrovicës, me ç’rast është takuar me përfaqësuesit e BE-së dhe qytetarët.
Mladenov ndodhet në Kosovë për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Gërmia Hills”, e cila përmbyll sot punimet.