Bullgaria rikonfirmon mbështetjen e saj për antarësimin e Shqipërisë në NATO dhe hyrjen në BE

Zëvendëskryeministri Gazmend Oketa u takua sot me Ministrin e Transporteve të Republikës së Bullgarisë, Z.Petar Mutafchiev dhe me delegacionin e lartë që e shoqëronte.
Pasi e falënderoi Ministrin bullgar për vizitën e tij në vendin tonë, Zv.Kryeministri Oketa shprehu mirënjohjen e shtetit shqiptar për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë vendit tonë në proçesin e antarësimit në NATO dhe në BE, si dhe për klimën pozitive që ka karakterizuar gjithnjë bashkëpunimin midis dy vendeve në të gjitha fushat.
“Marrëdhëniet e miqësisë tradicionalisht të ngushta midis Shqipërisë dhe Bullgarisë janë shprehje e vullnetit dhe aspiratave të përbashkëta për të ardhmen”, tha Oketa, ndërsa shtoi se Shqipëria rikonfirmon vullnetin politik për zgjerimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me Bullgarinë në rrugën e demokratizimit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit të plotë të vendit tonë në strukturat euro atlantike, përmes intensifikimit të vazhdueshëm të dialogut politik, bashkëpunimit ekonomik dhe realizimit të një kalendari të përbashkët. Bullgaria, si një vend anëtar në NATO dhe në Bashkimin Europian, luan një rol strategjik në rajon, ndaj ne vlerësojmë maksimalisht intensifikimin e axhendës së marrëdhënieve dypalëshe.
Z.Oketa e njohu Ministrin e Transporteve të Bullgarisë me reformat e ndermarra nga qeveria shqiptare në fushën ekonomike, në sistemin shëndetësor, në infrastrukturë dhe në zhvillimet më të fundit për ta bërë klimën e biznesit në Shqipëri sa më të ngrohtë për investitorët e huaj.
Nga ana e tij Ministri i Transporteve të Bullgarisë rikonfirmoi mbështetjen e Bullgarisë për integrimin e vendit tonë në NATO dhe për hyrjen në BE, si një mbështetje e nisur me atë të shprehur në Samitin e Rigës dhe që do të jetë gjithnjë pjesë e politikës qeverisëse të Bullgarisë. “Fokusimi i dy vendeve mbi Korridorin e 8-të, si dhe politikat e ngjashme në ekonomi, siç janë ulja e taksave për biznesin e vogël e të mesëm dhe vendosja e taksës së sheshtë, na bën mjaft optimistë për zhvillimin e mëtejshëm të prosperitetit dhe harmonisë së dy vendeve tona”, tha Ministri i Republikës së Bullgarisë, Z.Petar Mutafchiev.