Presidenti i Bosnje-Hercegovinës: Eksperienca e Shqipërisë drejt integrimit në NATO e BE, shembull integrimi për rajonin

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, Kryeministri Berisha u takua me Presidentin e Bosnje – Hercegovinës, zotin Zeljko Comsiç.
Të dy personalitetet vlerësuan se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shumë të mira, ndërsa shprehën nevojën e intensifikimit të tyre në nivele më të larta. Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Bosnje-Hercegovinës ranë dakord për hapjen e ambasadave respektive në të dy vendet.
Duke u ndalur në çështjet e integrimit, të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina kanë interesa të përbashkëta në rrugën e integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Presidenti Comsiç vlerësoi reformat dhe hapat e realizuar nga Shqipëria në procesin e integrimit dhe kërkoi që Shqipëria t’i mundësojë Bosnje-Hercegovinës shkëmbim eksperience në këtë drejtim.
Gjithashtu, në takim u theksuan nevoja e forcimit të bashkëpunimit në fushën kulturore, pasi të dy vendet kanë minoritete dhe kjo do të ndihmonte më shumë pasurimin e jetës kulturore dhe integrimin e tyre.
Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Presidenti i Bosnje-Hercegovinës tha se vendi i tij do të pozicionohet në mbështetje të vendimit që do të marrë Bashkimi Evropian dhe Grupi i Kontaktit. Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Bosnje-Hercegovinës ndanë mendimin se plani Ahtisari është e vetmja zgjidhje për Kosovën.