Intervistë e Kryeministrit Berisha dhënë për mediat gjatë punimeve të Sesionit të 62-të të Asamblesë së Përgjithshmë të OKB-së, në Nju Jork
Pyetje- Zoti Kryeministër, në ditën e tretë të qëndrimit tuaj në Neë York, ju vazhdoni të keni takime intensive me homologët tuaj dhe disa kryetarë shtetesh të rajonit. Për cfarë keni biseduar me ta?
Kryeministri Berisha- Gjithnjë temat janë të njëjta. Kosova dhe statusi i saj, ftesa për anëtarësimin në NATO dhe bashkëpunimi bilateral. Të martën në darkë dhe gjate ditës së mërkurë, në takimet dhe pritjet e dhëna kam takuar kryetarë shtetesh dhe kryeministra, me të cilët kam biseduar për çështjen e Kosovës, statusin final të saj, qëndrimin e Shqipërisë dhe ndihmën e tyre. Sikundër bashkëbiseduesit më kanë treguar interes të veçantë për pikëpamjet e Shqipërisë lidhur me statusin final të Kosovës. Gjithashtu, kam kërkuar mbështetje për anëtarësimin e vendit në NATO, një përparësi imediate, madhore dhe një nga objektivat kombëtarë më kryesorë. Në takimet me kryeministrin e Holandës, presidentin e Zvicrës, ministrin e jashtëm të Danimarkës, përfaqësues të administratës së SHBA, me presidentin e Kroacisë, kryeministrin e Turqisë, kryeministrin e Norvegjisë, Malit të Zi, presidentin e Bosnjë Hercegovinës dhe me një sërë personalitetesh të tjera në tërësi konstatova se ekziston një vetëdije e thellë se cështja e statusit të Kosovës nuk mund të zgjatet. Zgjatja është tejet joproduktive dhe e papërshtatshme për stabilitetin e rajonit. Në të gjitha takimet kam gjetur mirëkuptim dhe mbështetje për përpjekjet reale të Shqipërisë për marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Natyrisht në këto takime kam diskutuar edhe për bashkëpunimin ekonomik. Me presidentin e Zvicrës, shfrytëzova rastin të kërkoja angazhim më të madh të qeverisë zvicerane për një gazsjellës që kalon nëpër Shqipëri dhe i përket një kompanie zvicerane. Ai më falenderoi për interesimin tim për bashkëpunimin, në mënyrë që kjo kompani të sigurojë burimet e gazit. Për vendin tonë ky është projekti më i mirë, pasi kalon nëpër Shqipëri dhe ka rrugën më të shkurtër. Me kryeministrin e Norvegjisë, krahas falenderimit dhe mirënjohjes që i shpreha për mbështetjen që Norvegjia i jep Shqipërisë me programet e shumta ekonomike, kërkova gjithashtu, që qeveria e Norvegjisë të ndikojë tek “Shtat Oil”, kompania më e madhe norvegjeze e naftës dhe që ka një fushë të madhe në Kaspik, për të furnizuar gazin që kalon nëpër Shqipëri. Pra, jam përpjekur të bëj një lobing të fuqishëm edhe për gazsjellësin, i cili është më i favorshmi për ne.
Pyetje- Zoti Kryeministër, për cështjen e Kosovës kompromisi duket i largët dhe e vetmja zgjidhje duket pavaresia e njëanshme. Sa të gatshme janë këto vende për të njohur pavarësinë e Kosovës?
Kryeministri Berisha-Së pari, është e vërtetë që Serbia nuk tregon një qëndrim realist. Përkundrazi! Me keqardhje dua të them se shtyrja e procesit, qëmdrimi i Rusisë në Këshillin e Sigurimit, veçse ka ngurtesuar më shumë qëndrimin e Serbisë, i cili, edhe më parë, ka qenë një qëndrim jorealist. Megjithatë, Shqipëria mbështet plotësisht përpjekjet e Trojkës, duke mbetur e bindur se projekti i presidentit Ahtisari është projekti më i mirë i mundshëm, pasi ai gjeneron për minoritetet standartet më të gjera që ekzistojnë në Europë. Nga ana tjetër, garanton respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës për pavarësinë. Zgjidhja e njëanshme nuk është një zgjidhje e dëshirueshme, por për të imponuar një zgjidhje të tillë duket se Beogradi është i angazhuar dhe, në këtë kontekst, me sa shoh unë, ka edhe një mbështetje nga Kremlini.
Pyetje- Ju keni patur një drekë pune me ambasadorin Frank Ëisner. A do të vazhdojë mbështetja për Kosovën nga SHBA, nëse pavarësia shpallet në mënyrë të njëanshme? Pra, cfare roli do të luajë SHBA-ja në këtë rast?
Kryeministri Berisha - Unë pata një drekë private pune me ambasadorin Ëisner. Të martën, në pritjen e presidentit Bush, kam diksutuar gjerësisht me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit. Në takimin me presidentin Bush, sërish, shfrytëzova rastin për të folur për këtë cështje. Shqipëria është e vendosur dhe e bindur se vetëm pavarësia e Kosovës është zgjidhja që i jep stabilitet Kosovës dhe rajonit dhe se statusquo-ja është një kërcënim si për stabilitetin me Kosovën dhe për stabilitetin e fqinjëve të saj. Në këtë kontekst, mesazhi im public dhe privat për udhëheqjen politike të Kosovës është të mos ndërmarrin veprime të njëanshme. Natyrisht, të vazhdojnë të persistojnë në të drejtën e tyre për pavarësi dhe të bashkërendohen qëndrimet me SHBA dhe vendet e tjera të Grupit të Kontaktit, të cilat kanë të njëjtën bindje; se pavarësia është zgjidhja e vetme.
Pyetje- Paralelisht me Kosovën, siç thatë edhe ju, është çështja e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO vitin e ardhshëm, në Samitin e Bukureshtit. Mendoni se Shqipëria ka aftësi për të bërë lobing paralele për këto dy cështje të rëndësishme për Shqipërinë dhe për Kosovën? Mos ndoshta po ju merr më shumë energji Kosova sesa NATO?
Kryeministri Berisha- Pyetja është me vend, por Kosova është një cështje botërore. Kjo është një e vërtetë e madhe. Kosova është një cështje europiane. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Kosova është absolutisht edhe një cështje thelbësore rajonale. Shqipëria, edhe po të mos pupullohej nga shqiptarë, për shkak të kufirit të gjatë që ka me Kosovën, nuk do të mund të mos ishte aspak e disinteresuar. Përkundrazi! Do të ishte ahumë e përkushtuar dhe e interesuar për statusin e Kosovës, pasi ky status jo vetëm sjell stabilitet në Kosovë, por edhe në të gjitha vendet përreth. Fakti që popullohet në tërësi nga shqiptarët, na bën me përgjegjësi të dyfishtë, sepse, as që mund të diskutohet se interesi për pavarësi i Kosovës, është një interes madhot i shqiptarëve kudo që ndodhen. Pra, nuk është se Shqipëria po i inventon këto. Jo! Shqipëria i është përgjigjur dhe do t’i përgjigjet ketij problemi me potencialin e saj. Por, Shqipëria, Maqedonia, Kroacia, Mali i Zi, sado që të jenë vende të vogla, për rajonin dhe për këtë cështje kanë pa diskutim rëndësisnë e tyre, sepse vendimet e tyre kanë rëndësi në këtë process. Nga ana tjetër, aspirata e shqiptarëve për NATO-n është më e fuqishme se e cdo kombi tjetër. 93 % e shqiptarëve janë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Unë besoj se anëtarësimi i Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë i shërben shumë stabilitetit në rajon, i bën këto vende më serioze, më të qëndrueshme, më të sigurta. Në këtë kontekst ky është dhe interesi i Kosovës dhe i vendeve të tjera. Por, nga ana tjetër, nuk mund të mohohet që stabiliteti në rajon është një kusht shumë i rëndësishëm, ndoshta përcaktues, për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Dhe ky stabilitet varet shumë edhe nga zgjidhja e statusit të Kosovës.