Vendim për organizimin e ceremonisë mortore në nderim të At Zef Pllumit
Këshilli Ministrave miraton vendimin për organizimin e ceremonisë mortore në nderim të At Zef Pllumit.
V E N D I M
PËR
ORGANIZIMIN E CEREMONISË MORTORE NË NDERIM TË AT ZEF PLLUMI
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 9645, datë 27.11.2006, “Për buxhetin e shtetit, të vitit 2007”, të ndryshuar, dhe të pikës 10, të kapitullit VII, të vendimit nr.229, datë 23.4.2004, të Këshillit të Ministrave, “Ceremoniali zyrtar i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Organizimin e ceremonisë, jo të plotë zyrtare, në nderim të figurës së spikatur të qëndresës antikomuniste At Zef Pllumi, i cili ndërroi jetë më 25.9.2007, pas një sëmundjeje të rëndë.
- Ngritjen e një komisioni shtetëror për kryerjen e ceremonisë mortore, në përbërje të të cilit të jenë zëvendëskryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Fatos Beja, zëvendëskryeministri z. Gazmend Oketa, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, z. Ylli Pango, këshilltari i Presidentit për Sigurinë Kombëtare, z. Ilir Kulla, znj. Arenca Trashani, deputete, drejtori i Bibliotekës Kombëtare, z. Aurel Plasari, drejtori i Përgjithshëm i Institutit për Integrimin e ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, z. Simon Miraka, z. Bardhyl Londo, shkrimtar, z. Fahri Balliu, publicist e botues, dhe një përfaqësues i Protokollit të Shtetit.
- Trupi i të ndjerit të pritet me ceremoni në aeroportin “Nënë Tereza”, ditën e premte, 28 shtator 2007, ora 14:30.
- Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti i vitit 2007, miratuar për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
- Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Protokolli i Shtetit për organizimin e ceremonialit.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
SALI BERISHA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
GAZMEND OKETA