E Diel, 1 Nëntor 2026

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Kalfin: Statusi i Kosovës të mos ketë më shtyrje

Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Bullgarisë, Ivaylo Kalfin.

Të dy personalitetet u ndalën në marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe ranë dakord për intensifikimin e tyre në të ardhmen. Pasi prezantoi disa nga arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e reformave në kudër të procesit të integrimit, Kryeministri Berisha kërkoi mbështetjen e Bullgarisë për anëtarësimin në NATO.

 “Në këto dy vjet Shqipëria ka bërë përparime të konsiderueshme në sajë të reformave të ndërmarra. Ajo tashmë është shndërruar në një demokraci funksionale, dhe këtë e treguan zgjedhjet vendore dhe zgjedhja e Presidentit”, u shpreh Kryeministri Berisha.

 Reformat, vijoi më tej Kryeministri, na kanë lejuar të marrim vendime të rëndësishme, siç ishte trefishimi I trupave në Afganistan dhe rritja e buxhetit për Forcat e Armatosura deri në 2 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kryeministri theksoi se në vitin 2010, Shqipëria do të ketë një ushtri tërësisht profesionale duke shprehur bindjen se për të gjitha këto reforma ajo e meriton ftesën për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

 Nga ana e tij Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Kalfin shprehu mbështetjen e plotë të vendit të tij për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe shtoi se për këtë Bullgaria do të punojë edhe me anëtarët e tjerë të Aleancës së Antlantikut të Veriut.

 Në takim u diskutua edhe për rolin e korridorit 8 dhe u ra dakord për angazhimin e përbashkët për ndërtimin e këtij korridori duke përfshirë edhe Italinë. Të dy bashkëbiseduesit e vlerësuan këtë projekt si të realizueshëm dhe që do të ndihmonte zhvillimin e rajonit.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Kalfin theksoi se Bullgaria do të bëjë të gjitha përpjekjet në favour të këtij projekti. Gjithashtu z. Kalfin i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Berisha për inkurajimin e biznesit bullgar në Shqipëri duke u shprtehur se ka shumë investitorë bullgarë që duan të investojnë në vendin tonë.

 Duke u ndalur në çështjen e Kosovës të dy palët u shprehën se nuk mund të ketë më zgjatje të procesit të statusit final të Kosovës. Ata nënvizuan se prezenca ndërkombëtare në Kosovë pas statusit është e rëndësishme, ndërsa vlerësuan se Bashkimi Europian duhet të ketë qëndrim unik për çështjen e Kosovës.

Kryeministri Berisha theksoi se plani i Ahtisaarit është baza e çdo zgjidhje për këtë çështje.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›