E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti kroat Mesiç: Pavarësia e Kosovës është e pashmangshme

Kryeministri Berisha zhvilloi një takim të veçantë, në Nju Jork, me Presidentin e Kroacisë Stipe Mesiç. Të dy personalitetet vlerësuan se marrëdhëniet mes dy vendeve janë shembull i marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe në rajon.

Kryeministri Berisha vuri në dukje se bashkëpunimi mes dy vendeve është  intensifikuar më tepër në fushën ekonomike, ku kompani të ndryshme kroate kanë investuar në Shqipëri, ndërsa edhe kompani të tjera pritet të jenë prezentë me investimet e tyre në vend. .

Kryeministri Berisha dhe Presidenti Mesiç ranë dakord që të angazhohen në sigurimin e fondeve për ndërtimin e një autostradë që do të përshkojë Shqipërinë, Malin e Zi e  Kroacinë, si dhe angazhimin për hapjen së shpejti të një linje ajrore Tiranë –Zagreb. Kryeministri Berisha theksoi se është e rëndësishme që të ketë një bashkëpunim më të ngushtë për sa u përket projekteve në infrastrukturë, në fushën ekonomik dhe në  turizëm.. Shqipëria është një vend në prag të një shkëputjeje të madhe ekonomike, tha Kryeministri Berisha, ndërsa i kërkoi Presidentit kroat që të inkurajojë investitorët kroatë për të ardhur me investimet e tyre në vendin tonë.

Në takim, të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se integrimi në NATO është një synim i përbashkët dhe në këtë drejtim të dy vendet kanë bërë hapa të mëdhenj përpara.

Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Presidenti Kroat Mesiç u shpreh se pavarësia e Kosovës është e pashmangshme dhe se tashmë është vetëm çështje e mënyrës së si do të mbërrihet deri tek pavarësia. Kroacia mbështet pavarësinë e Kosovës, tha Presidenti kroat, ndërsa theksoi se krizat në Ballkan në tërësi dhe situata e krijuar me çështjen e statusit janë pasojë e politikave millosheviçiane. 
.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›