Berisha: Ogur i mbarë për zgjedhjet e 2013-s
Maratona “Tirana Vrapon”, kryeministri dhe kryebashkiaku i Tiranës përshëndesin garuesit
Startoi dje për herë të parë, Maratona Ndërkombëtare e Tiranës. Rreth 3000 vrapues, mes të cilëve 800 maratonistë të ardhur nga 13 vende të botës i janë bashkuar sot Maratonës së Tiranës. Tirana iu bashkua qyteteve të ndryshme të botës që kanë Maratonën e tyre Ndërkombëtare, ndërsa 21 tetori i vitit 2012 do të mbetet në histori, si nisja e Maratonës së parë Ndërkombëtare të Tiranës
Tirana u zgjua dje e pushtuar nga mbi 3 000 maratonistë nga 16 shtete të botës, të cilët iu bashkuan maratonës së parë ndërkombëtare të kryeqytetit të Shqipërisë, në moton “Tirana Vrapon”. Në ceremoninë e fillimit të kësaj ngjarje historike për kryeqytetin mori pjesë edhe kryeministri i vendit, Sali Berisha i shoqëruar nga organizatori kryesor i kësaj gare simbol, kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Duke lënë mënjanë kostumin zyrtar, i veshur sportiv, Kryeministri Berisha dha sinjalin që startoi maratonën e parë ndërkombëtare të Tiranës.
Duke lënë mënjanë kostumin zyrtar, i veshur sportiv, Kryeministri Berisha dha sinjalin që startoi maratonën e parë ndërkombëtare të Tiranës.
Në përshëndetjen e tij, kryeministri Berisha vlerësoi organizimin e maratonës në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Për kreun e ekzekutivit, maratona merr një rëndësi të veçantë pasi organizohet në vitin elektoral, ku siç u shpreh Berisha, është një ogur i bardhë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Organizimi i maratonës ndërkombëtare në Tiranë përben një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kryeqytetit tonë. E organizuar në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, vjen si një perlë e vërtetë në kurorën e këtij 100 vjetori. Asgjë nuk shëmbëllen më shumë, rendje në 100 vite e Shqipërisë dhe shqiptarëve, sesa rendja juaj sot në këtë vrapim të lodhshëm, të mundimshëm, por jashtëzakonisht i rëndësishëm. Unë me këtë rast ju shpreh nderimin tim për vendimin e madh që keni marrë, një dëshmi e një vullneti të hekurt për të kapërcyer mbi vështirësi të mëdha. Në një maratonë, si në çdo proces të vështirë, nuk fiton më i shpejti, nuk fiton më i forti, fiton vullneti dhe më i vullnetshmi. Ndaj dhe ju me vendimin që keni marrë tregoni se jeni vajza dhe djem, gra dhe burra të një vullneti të hekurt të vendimeve të mëdha të sukseseve të sigurta. Dua me këtë rast edhe njëherë t’ju përshëndes dhe t’ju uroj gëzuar. Sot sytë e mbarë qytetarëve të Tiranës, mbarë qytetarëve të Shqipërisë, janë të drejtuar tek kjo garë e bukur, fisnike, tek marathonomakët dhe maratonomaket e kryeqytetit. Tek lajmëtarët dhe lajmëtari i fitores. Shpreh kënaqësinë e madhe që kjo maratonë organizohet gjithashtu në një vit të ardhshëm elektoral dhe është një ogur i bardhë për të gjithë ata që rendin sot për mbarë shqiptarët”, u shpreh kryeministri Berisha.
Basha: Shenjë e përkushtimit për një qytet modern dhe evropian
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e ka konsideruar maratonën si shenjë të përkushtimit për një Tiranë moderne evropiane, ku të jetohet, punohet dhe shijohet më mirë jeta. “Ajo që më mbush plot gëzim është fakti që në këtë maratonë të parë të Tiranës marrin pjesë rreth 3000 pjesëmarrës, 800 prej të cilëve janë regjistruar me dëshirën për të sfiduar njëri-tjetrin dhe vetveten. Them që më mbush me gëzim, pasi krahasuar me Maratonën e parë në Berlin, e cila sot ka pjesëmarrjen më të madhe në botë, në vitin 1974 morën pjesë vetëm 272 vetë, apo në Neë York, në vitin 1970, vetëm 500 vetë dhe kjo është dëshmia më e madhe e dëshirës, entuziazmit dhe vullnetit të qytetarëve të Tiranës, për të kapur kohën e humbur, për të vrapuar drejt standardeve më të larta në sport, art, kulturë, ekonomi, pra standarde më të larta në jetën e tyre. Kjo është shenjë e qartë e përkushtimit tonë, që Tirana të kthehet në një qytet modern evropian, ku të jetohet, punohet dhe shijohet më mirë jeta”, theksoi Kreu i Bashkisë së Tiranës.
Ai vlerësoi më tej se, “kjo është Maratona e parë Ndërkombëtare në historinë e qytetit tonë dhe na ka bashkuar sot krah për krah në sheshin “Skënderbej”, maratonistë nga Shqipëria dhe Kosova, Maqedonia dhe SHBA, Italia, Gjermania, Franca, Hungaria, Polonia, Turqia, Suedia, Rusia, Kenia dhe Serbia”.
“Dua që në emër të qytetit të Tiranës, t’u uroj të gjithë maratonistëve, të ardhur sot për Maratonën e parë Ndërkombëtare të Tiranës, një mirëseardhje. Sot, jam shumë i lumtur, që bashkë me partnerët tanë bëmë realitetin ëndrrën e qindra maratonistëve, siç po bëjmë realitet ëndrrat dhe dëshirat e mijëra qytetarëve të Tiranës. Tirana është sot një qytet plot shpresë. Këtë gjë e dëshmon edhe prania mes nesh e kampionit Olimpik, në Londër 2012 dhe kampionit të botës Rafaelilt, të cilin dua ta falënderoj, që u bë pjesë e Maratonës së parë Ndërkombëtare të Tiranës”, u shpreh Basha.
Maratona mblodhi në Tiranë mbi 3000 vrapues, nga të cilët 800 janë maratonist nga Shqipëria dhe shtete të ndryshme të botës si SHBA, Italia, Gjermania, Franca, Hungaria, Polonia, Turqia, Suedia, Kosova, Rusia, Maqedonia, Kenya, Serbia etj. Kjo maratonë e parë për kryeqytetin numëron më shumë pjesëmarrës se maratona e parë në Berlin në vitin 1974 ku morën pjesë vetëm 272 garues, apo në Nju Jork 1970, vetëm 500 vetë. Bashkë me vrapuesit merrnin pjesë edhe njerëzit me aftësi të kufizuar me të njëjtën distancë gare. Kjo shënon dhe startin e maratonave të përvitshme që do të zhvillohen në kryeqytetin e Shqipërisë, ku përkrah Berlinit, Nju Jork, Londrës, Cikagos, Parisit, Amsterdamit dhe mjaft qyteteve të tjera të botës renditet edhe Tirana me Maratonën e saj ndërkombëtare.