Bulqizë, bllokohen 7 minatorë të nëntokës
Policia e mbërritur në vendngjarje ka bërë të mundur hapjen e galerisë dhe daljen prej saj të minatorëve
BULQIZË - Sherri për territore kromi ka shpënë deri në veprime absurde, kur njëra palë i bllokon hyrjen e galerisë palës tjetër, duke bllokuar dhe daljen e minatorëve që punojnë nëntokë për nxjerrjen e kromit. Kjo ka ndodhur dje në një prej galerive të zonës D në minierën e Bulqizës, e njohur për trupa krommbajtës të pasur, dhe që në raste të tilla lakmohen nga firmat shfrytëzuese të këtij minerali. Ndërsa punonin në thellësi të galerisë, 7 minatorët e firmës ERGI-K, në sipërfaqe tek gryka e galerisë janë shfaqur mjete të një firme tjetër konkurrente, të cilat kanë bllokuar hyrje-daljen në këtë galeri. Bllokimi është bërë rreth orës 09:00 të mëngjesit të sotëm dhe ka vazhduar për katër orë, derisa ka vajtur policia vendore, e cila ka bërë zhbllokimin e menjëhershëm të galerisë, nisur dhe nga fakti se brenda saj kishte minatorë dhe se ky ishte një veprim i kundraligjshëm. Sipas burimeve të komisariatit të Bulqizës, policia është njoftuar disa orë pas ngjarjes nga një inspektor i shfrytëzimit të minierave, pasi vetë subjektet nuk kanë arritur ta mbyllin problemin në mes tyre që kishte nisur prej ditësh dhe ku firma ERGI-K pretendon galerinë dhe hyrjen e saj në atë territor, ndërsa firma tjetër pretendon të kundërtën. Ndërkaq drejtuesit e kompanisë ERGI-K, minatorët e së cilës janë bllokuar për disa orë në galeri, janë shprehur se janë firmë e licencuar dhe se galerinë ku punonin e kishin sipas kontratës së nënshkruar shtetërore dhe për këtë kishin paguar të gjitha detyrimet. Gjithsesi, sipas policisë, këtë çështje do ta hetojnë specialistë të antikrimit ekonomik të drejtorisë së policisë Dibër, ndërsa është bërë e mundur hapja e hyrjes së galerisë dhe dalja e minatorëve nga nëntoka, pasi janë hequr prej aty mjetet bllokuese.
Konfliktet për territore kromi nuk është rasti i parë që ndodhin në këtë minierë, si për pjesën e nëntokës dhe atë sipër tek stoku i kromit, madje konfliktet disa herë kanë arritur deri në përleshje me armë e mjete të tjera të dhunshme, gjë për të cilën disa herë policia jo vetëm që është detyruar të ndërhyjë, por të bëjë dhe “rojen” për ditë të tëra.. Vetë Ministria e Ekonomisë nuk ka arritur të vërë rregull në gjithë sektorët për të lejuar punimet vetëm për ato firma që rezultojnë të licensuara dhe që paguajnë detyrimet në shtet si dhe krijimin e kushteve oportune për punë nëntokë, duke i lënë shteg dashje pa dashje vetëgjyqësisë në mes palëve.
Minatorët e bllokuar:
Fadil Capa
Behar Lika
Gazmend Tyçi
Shaqir Skënderi
Bashkim Nurçe
Rexhep Gjura