E Shtunë, 31 Tetor 2026

Porti rrezikohet nga 1000 ton karburant

Në sallën e motorëve të një anije-cisternë greke ra zjarr ndërsa po kryhej përpunimiDURRËS - Rreth orës 10:30 të paradites së djeshme, një telefonatë ka vënë në alarm policinë e portit të Durrësit pasi, sipas zërit në telefon kishte marrë zjarr një anije e ankoruar në kalatën e portit. Zjarri kishte rënë në sallën e motorëve të anijes “Anastasia 1” dhe ajo që ishte më e rrezikshme qe fakti se anija ishte anije-cisternë në hambarët e së cilës ndodheshin rreth 1000 ton naftë. Në momentet e rënies së zjarrit, po kryhej shkarkimi i disa autoboteve, të cilat u larguan me shpejtësi nga vendngjarja. Ndërkohë, kanë ndërhyrë menjëherë specialistët e zjarrfikësve për të vënë situatën nën kontroll. Në operacionin e fikjes së zjarrit kanë marrë pjesë 5 zjarrfikëse.

Ngjarja

Anija greke “Anastasia 1” ishte ankoruar dje në port dhe kishte nisur shkarkimin e ngarkesës. Ajo kishte sjellë 1000 ton karburant. Rreth orës 10:30 u konstatua një zjarr në sallën e motorëve të cisternës së naftës. Zjarri u shua në kohë duke shmangur një katastrofë, pasi ajo ishte e mbushur me naftë dhe për më tepër gjendej në mes të anijeve të tjera në port. Mësohet se vetëm një çerek e sasisë së naftës ishte shkarkuar. Ajo kishte ardhur nga Greqia me një ngarkesë prej 1200 ton nafte. Zjarri i rënë në një nga kalatat e portit të Durrësit teksa përpunohej nafta nga një anije në bote, ka krijuar një situatë të pasigurt dhe panik ndër ekuipazhet e anijes dhe punonjësit e sigurisë portuale. Ndërhyrja e zjarrfikëseve ka qenë e menjëhershme, ndërsa i gjithë operacioni ka vijuar për afro 1 orë, derisa efektivat e shërbimeve të shpëtimit janë bindur se situata ishte kapërcyer.

Rreziku i shmangur

Autoritetet e sigurisë portuale theksuan se rreth orës 10, ekuipazhi dhe punonjës të shërbimit të sigurisë vërejtën tymin dhe më pas flakën që dilte nga anija. Pohimet e mësipërme sqarojnë se flaka ka rënë në motor në një kohë që anija me 1200 ton naftë ende nuk kishte përpunuar 200 ton. Sipas specialistëve të anijeve në port, zjarri ka rënë nga pakujdesia, pasi në fillim ka marrë flakë një sasi leckash pastrimi të bëra me vajra nga përdorimi i mirëmbajtjes së makinerive. Më vonë zjarri ka marrë përmasa më të mëdha. Nga pohimet te tjera mësohet se zjarri është provokuar nga bllokimi i motorëve, por kjo mbetet vetëm njëra nga pistat e hetimit. Po hetohet edhe zjarrvënia e qëllimshme. M.Brunga

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›