E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në KLD, kritika drejtësisë: Sistemi të pastrohet nga korrupsioni

Tiranë-Presidenti i Republikës Bamir Topi ka kritikuar sistemin e drejtësisë, gjatë zhvillimit të mbledhjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Në fjalën e tij, kreu i shtetit nuk ka kursyer kritikat, duke deklaruar se sistemi ynë i drejtësisë mbetet ende larg standardeve të caktuara. Sipas Topit, sistemi vuan nga klanet tradicionale në segmente të caktuara të tij. “Drejtësia ka nevojë të rimëkëmbet e të shërohet dhe për shërmin nga korrupsioni duhen veprime konkrete dhe nuk duhen vetëm deklarata”- ka thënë ai.

Presidenti duke iu drejtuar anëtarëve të KLD-së, ka theksuar se ka ikur koha e mediokritetit, ndërsa ka shtuar se ka njerëz që po myken në poste të përjetshme, ndaj është koha sipas tij t’i hapet rrugë magjistraturës së re.   

"Do t’i konsideroja ardhjet nga shkolla e magjistraturës si antitrupa në favor të shëndoshjes së imunitetit të sistemit të drejtësisë. Ka nevojë sistemi i drejtësisë të pastrohet nga korrupsioni, dhe kur ky term përdoret pa veprime konkretet themi se nuk kemi bërë asgjë"- tha Topi, duke shtuar se fatmirësisht gjatë këtyre viteve kemi pasur një shans shumë të madh. Studentët që përfundojnë studimet në vend dhe të tjerë që studiojnë jashtë, duhet tu jepet shansi të jenë pjesë e sistemit.

"Gjatë kësaj kohe na është dashur të përballojmë edhe për gjëra që s’kanë pasur të bëjnë me individët. Na është dashur të mbajmë të tjerë nëpër shpatulla për të kaluarën e tyre, ka ikur kjo kohë"- theksoi presidenti.

Nuk kanë munguar edhe vlerësimet nga ana e presidentit për punën e mirë që është bërë në fushën e drejtësisë. Ai ka theksuar se janë përballuar shumë sfida, edhe mbi bazën e vullnetit politik. Ndërkohë që 80% e drejtuesve të sistemit të drejtësisë, sipas Topit janë ndryshuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›