Durrës, 15-vjeçari qëllon me armë dy shokë
DURRËS - Një sherr ordiner mes adoleshentëve në një disko ka përfunduar në përdorimin e armëve të zjarrit. Kanë qenë nxënësit e një shkolle 9-vjeçare që janë mbledhur për të festuar përfundimin e semestrit të fundvitit dhe festat në afrim, por që më pas janë detyruar që të nisin në urgjencë shokët e tyre që janë përplasur deri në përgjakje. Burime policore të Durrësit bëjnë të ditur se 2 prej fëmijëve në konflikt kanë qenë nxënës të klasës së nëntë të një shkolle 9-vjeçare. Nga përleshja që ka pasuar me përdorimin e armëve të zjarrit, kanë marrë plagë dy vetë, ndërsa njëri prej tyre është në reanimacion për shkak të gjendjes shumë kritike për jetën. S.Sh. dhe I.H. janë dy fëmijët e moshës 15 vjeç që janë dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit për shkak të hemorragjisë, ndërsa ende nuk bëhet e ditur se ku u gjet arma e përdorur nga 15-vjeçari.
Ngjarja
Pohime zyrtare të policisë thonë se ngjarja ka ndodhur në një disko tek Shkëmbi i Kavajës ku ishin përqendruar nxënësit e klasës së nëntë të kësaj shkolle. Gjatë vallëzimit, nxënësit kanë përdorur përveç pijeve me lengje frutash edhe pije alkoolike që në realitet nuk lejohet ligjërisht të shërbehet në lokale, por që shumë prej pronarëve bëjnë sikur e kanë harruar me qëllim që të sigurojnë fitime sa më të bollshme. Një orë pas “orgjisë” me alkool në mjediset e brendshme të diskos, ka nisur edhe sherri motivet e të cilit nuk janë bërë të ditura nga policia. Në konflikt mësohet se janë përfshirë disa nxënës të kësaj shkolle, ndërkohë që njëri nga bashkëmoshtatarët nuk ka hezituar të nxjerrë edhe armën.
Hetimi
Nga të dhënat paraprake të policisë mësohet se autori i krimit quhet S.A. edhe ai nxënës i së njëjtës shkollë, por në një klasë tjetër nga të dy nxënësit e tjerë që mbetën të plagosur. 15-vjeçari S.A. është arrestuar nga forcat e policisë vetëm një orë pasi kishte ndodhur plagosja. Ndërkohë, burimet policore bëjnë me dije se policia ka arritur që të bllokojë edhe armën e përdorur nga adoleshenti në disko në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë që janë shoqëruar në polici edhe shumë nxënës që kanë qenë prezent në sallë për të siguruar dëshminë e rastit se si ka ndodhur e gjithë skena e plagosjes. Në Durrës ka pasur disa raste që janë përdorur armët e zjarrit nga adoleshentë të ndryshëm dhe policia po shikon edhe mundësinë e përdorimit të kësaj arme në ndonjë konflikt të mëparshëm, por që ka mbetur i pazbardhur.