E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zoti i pëllumbave

Garat me pëllumba, sporti i panjohur në Shqipëri. Pleurat Hajdari, njohur në rrethin e pëllumbsave si Polo, ka në shtëpi 3 kapanone me 130 pëllumba poste. Fitues në garën e Kotorrit 2006 në Mal të Zi, 45-vjeçari rrëfen stërvitjen dhe vuajtjet që heqin pëllumbat gjatë garës nga çiftet e gjahtarëve

Etapa e fundit ishte në Kroaci, pak muaj më parë. Më e afërta fillon nga Kotorri në Malin e Zi fqinj. Nuk ka ende datë, por me siguri kampionati do të mbahet në fillimin e muajit janar. Çunat e Tironës kanë bërë gjithçka gati. Përgatitjet për ditën e shënuar kanë nisur me kohë. Gara me pëllumba është po kaq e fortë dhe kërkon seriozitet po aq sa dhe ajo me kuaj apo me qen. Polo e di e shumë mirë se çdo të thotë të flasësh me pëllumbat. Ka që në vogëli që komunikon me ta, aq sa e ka më të lehtë të flasë me pëllumbat sesa me njerëzit. Në garën e fundit të zhvilluar në tokën dalmate, nuk arriti të jetë fitues. Sigurisht që u mërzit, por gara kështu e ka. Në këtë lloj gare të çuditshme ajrore, duhet të mësohesh, si me fitoren, ashtu edhe me humbjen. Por, 45-vjeçari ka pasur rastin të shijojë më herët suksesin. Në sirtarin e fundit të komosë ruan të shenjtë medaljen dhe kupën e fituar në vitin 2006, pikërisht në Mal të Zi. Është tipik trofe pëllumbash. Dhe nuk ka si të jetë ndryshe. Në kokë të kupës, në sfond të bardhë, gjenden të punuar hijshëm katër pëllumba. Polo flet vetë gjithë kohës. Mjafton ta ndjekësh nga pas. Në shtëpi ka jo pak, por 130 copë. Ka tre kapanonë të mëdhenj ngritur me blloqe dhe llamarina, vetëm me pëllumba, dhe jo dosido, por poste nga ata që përdoreshin qëmoti për dërgimin e letrave. Kur të tjerët thonë se zogjtë i kanë pasion, Polo bën dallim. Për të pëllumbat janë sport. I ka ngjarë të atit. Dembabadem familja e tij ka mbajtur pëllumba. E ka fiksim që trashëgiminë nuk do të mund ta çojë më tej. Saki është fëmija i tij i vetëm. Vajza nuk i ka shumë për qejf pëllumbat. Më shumë është e dhënë pas pikturave dhe kërkon të ndjekë rrugë tjetër në jetë. Polo, gjithsesi, e ka gjetur pinjollin. Nipi është ai që në mungesë të tij kujdeset për pëllumbat. Kur Polo është në garë, ai që lajmëron mbërritjen e garuesve në kapanon është i nipi, që shikon si orën e mbërritjes, ashtu edhe kodin në unazë. Pëllumbat që mban Polo janë racë e pastër mbretërore belge; gushëjeshil, kokëhirtë, me pendë të bardha. “Nuk kam preferuar të mbaj racë të zakonshme, pasi më shumë pëllumbat i stërvis për sport. Merrem me to pothuaj çdo ditë. I ushqej, pastroj dhe flas me ta jo sikur të ishin shpendë, por njerëz. Gara e fundit ku kam marrë pjesë ishte në Kroaci”. Distanca nga Dalmacia në Tiranë është 385 kilometra dhe pëllumbi fitues mundi ta përshkruajë për 5 orë e 30 minuta. Këtu bëhet fjalë për pëllumba me eksperiencë, pasi të rinjtë këtë distancë mund ta bëjnë për 11 orë, në kohë të mirë. Zotërit e pëllumbave, përgjithësisht janë biznesmenë, të cilët kanë mundësi ekonomike të lëvizin jashtë territorit. “Është sakrificë ekonomike, kuptohet, por pasioni nuk na lë të rrimë rehat ”, - shton Polo kur e pyesim për garat e zhvilluara jashtë vendit. Pëllumbat nuk kanë gojë, por të kuptojnë po aq mirë sa edhe shpezët e tjerë. Polo dhe i nipi i ushqejnë pëllumbat tri herë ditë. Ushqimi vjen posaçërisht nga Belgjika nëpërmjet miqve të tij, edhe këta të apasionuar pas pëllumbave. Ai kujdeset për ta jo vetëm për ushqimin, por edhe për anën shëndetësore. Përdor literaturë veterinare dhe i vaksinon pëllumbat sa herë që vjen janari. Shpeshherë i duhet të dalë jashtë qytetit për të zhvilluar seancat e domosdoshme stërvitore. Përgatitja e pëllumbave për garim kërkon teknikë të veçantë. Ata merren me kafaze dhe transportohen në zona të largëta, nga ku më tej lëshohen për t’u kthyer më pas, duke ndjekur fushën magnetike në pikën fillestare të nisjes. Përgjithësisht, zonat më të preferuara janë ato pranë Fushë-Krujës për distancat e afërta dhe Vlora, Saranda, Konispoli për ato më të largëta. Në dhjetor të vitit 2004, të apasionuarit pas garave me pëllumba kanë ngritur shoqatën e tyre “Pëllumbat e Tironës”. “Garat me pëllumba mbahen dy herë në vit, në muajt maj dhe tetor. Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk ka federatë sportive për garat me pëllumba. Deri më tani, me gjithë bisedimet e herëpashershme me shoqata të tjera në vend, nuk kemi arritur të bashkohemi për të formuar një federatë të përbashkët”. Mungesa e vullnetit për të qenë bashkë ka sjellë pasoja negative. Duke qenë e përçarë, Shqipëria, me gjithë dëshirën, nuk gëzon të drejtën për të marrë pjesë në garat sportive ndërkombëtare. Pëllumbat shqiptarë nuk janë të pajisur me vizë Shengen. Edhe ata, sikundër njerëzit janë në pritje të liberalizimit të vizave. Kjo ka qenë edhe arsyeja që anëtarët e shoqatës “Pëllumbat e Tironës” janë detyruar të mos shkojnë më larg se Kroacia për të lëshuar pëllumbat në garë. Ky është një problem. Tjetri është edhe më i rëndë. Këtu Polo e ka seriozisht dhe nuk bën shaka. Gjuetarë të paskrupuj dalin në fusha dhe gjuajnë pëllumbat në fluturim. Për shoqatën “Pëllumbat e Tironës”, ky është shqetësim tejet i madh. “Na ka ndodhur shpeshherë, që, një pjesë e mirë e pëllumbave nuk vijnë në kafaz. Arsyeja dihet. Gjuetarë të papërgjegjshëm i qëllojnë rrugës”. Polo ka hasur vetë në të tilla raste. Një pjesë e pëllumbave i kanë ardhur të plagosur, një pjesë tjetër i kanë humbur rrugës. Kanë marrë kontakte të shpeshta me shoqatën e gjuetarëve, por deri më tani bisedimet kanë shkuar më kot. Në fakt kur e mendon ky është mëkat i madh. Nuk ka turp më të madh se të qëllosh një pëllumb dhe këtu medoemos duhet të ndërhyjnë instancat përgjegjëse shtetërore deri te shoqatat në mbrojtje të shpendëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›