Bulqizë, bllokohet nga protestuesit miniera
BULQIZE - Të paktën 250 banorë të Bulqizës kanë bllokuar dje që në orët e para të mëngjesit rrugën që të çon në zonën D të këtij rrethi, aty ku ushtrojnë aktivitetin e tyre 32 subjekte minerare të licencuara. Rreth orës 07:00, protestuesit kanë shembur rrugën duke e bllokuar atë me gurë, krom dhe inerte të tjera. Bllokimi i rrugës ka bërë që më shumë se 200 minatorë të këtyre subjekteve të mos udhëtojnë drejt fronteve të punës, pasi mjetet e tyre të transportit nuk janë lejuar të lëvizin drejt destinacionit. "Të largohen subjektet e palicencuara, t'u hiqet licenca atyre pronarëve që nuk janë banorë të Bulqizës, të rishqyrtohen licencat e të gjitha subjekteve private ndryshe protestat tona nuk do të ndalen", thanë protestuesit. Protestuesit nënshkruan një peticion drejtuar kryeministrit Berisha, ministrave Prifti e Basha, prefektit të Dibrës Xhafer Seiti, kryetarit të Bashkisë Roland Keta ku thonë se nuk do të lejojnë vijimin e punës në subjektet e paligjshme dhe se kërkojnë një hetim të plotë të të gjithë personave që ushtrojnë aktivitetin e tyre në minierat e Bulqizës. Të revoltuar se pas dy ditësh protesta e tyre ka rënë në vesh të shurdhër protestuesit thanë se do të bllokojnë edhe rrugën nacionale dhe se nuk do të lejojnë që individë të caktuar të vazhdojnë të punojnë në galeri ku banorët e Bulqizës kanë eshtrat e të afërmve të tyre. h.p