Gjyqtarët, SHBA e KE: Votim me 84 vota
Fatos Mahmutaj
Përzgjedhja e anë-tarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese mblodhi mesditën e djeshme ekspertët e misioneve të huaja në Tiranë, të cilët dolën me disa sugjerime drejtuar Presidentit Topi dhe Parlamentit. Në takim mësohet se kanë marrë pjesë ekspertë të OSBE, USAID, EURALIUS, KE, Delegacionit të Komisionit Evropian etj, të cilët kanë diskutuar pesë propozimet që do i paraqiten kreut të shtetit për tu marrë në konsideratë gjatë procesit të emërimit të kandidatëve në gjashtë vendet bosh në Kushtetuese dhe dy në Gjykatën e Lartë. Takimi është zhvilluar mesditën e djeshme, nën kujdesin e përfaqësisë së OSBE në Tiranë në ambientet e një lokali privat në periferi të kryeqytetit. Mësohet se përfaqësuesit e misioneve të huaja në ndihmë të drejtësisë shqiptare kanë diskutuar fillimisht për ngritjen nga ana e institucionit të Presidencës së një komiteti vlerësimi për kriteret e kandidatëve që do konkurrojnë për vendet vakant në këto gjykata. Sipas tyre ky komision duhet të përbëhet nga juristë me emër si dhe përfaqësues të grupeve të interesit. Hapi i dytë të cilin duhet ta ndjekë institucioni i kreut të shtetit për përzgjedhjen e anëtarëve të dy gjykatave është përpilimi i një liste emrash të kandidatëve me të paktën dyfishin e vendeve vakante. Kjo listë sipas ekspertëve të huaj duhet të bëhet publike që në momentin e përpilimit dhe mbi të duhet të punojë grupi që do bëjë vlerësimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë. Hapi i tretë që duhet të ndjekë Presidenti i Republikës është përzgjedhja e emrave më të përshtatshëm nga kreu i shtetit dhe dërgimi i tyre në Parlament për t'iu nënshtruar procedurave të mëtejshme. Në fakt ky rekomandim është aplikuar gjithmonë në vendin tonë në rastet e emërimit të gjyqtarëve Kushtetues apo Shkallës së Tretë. Hapi i katërt që duhet të ndjekin gjyqtarët para se të marrin "ok" nga Parlamenti është se sipas ekspertëve të huaj, duhet të kalojnë patjetër një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Ligjeve. Kjo seancë sipas ekspertëve duhet të zgjatë të paktën një orë. Ndërkohë propozimi i pestë nga ekspert ndërkombëtarë dhe evropianë është se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të votohen në Kuvend me tre të pestat e deputetëve dhe jo shumicë të thjeshtë, 71 deputetë siç ka funksionuar deri tani. Ky propozim është ndoshta më i vështiri për t'u arritur momentalisht pasi kërkon ndryshime në Kushtetutë. Shprehimisht ligji themelor i shtetit parashikon se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen nga Presidenti i Republikës pasi ka marrë pëlqimin e Kuvendit. Pra parashikon se një shumicë prej 71 deputetësh mund të votojë pro dhe i emëruari nga kreu i shtetit nis të ushtrojë detyrën e gjyqtarit të Shkallës së Tretë apo Kushtetueses. Diskutimi i këtyre propozimeve nga ekspertët e huaj që veprojnë në Shqipëri pritet që t'i dorëzohet kreut të shtetit, ndërsa paraprakisht është hedhur ideja se këto propozime duhet të ishin paraqitur mjaft kohë më parë. Kjo për faktin se mendohet të jetë e pamjaftueshme koha në dispozicion të kreut të shtetit për të kryer këto procedura. Të paktën me pikën e parë të propozimit, ajo që ka të bëjë me ngritjen e komisionit të përcaktimit të kritereve, tashmë duhej që ky komision të kishte mbaruar punë. Po kështu sipas të huajve edhe përpilimi i listës dhe publikimi i saj duhet të ishte procedurë e përfunduar tashmë. Prej pak kohësh kreu i shtetit Bamir Topi ka shpallur vakante gjashtë vende anëtarësh në Gjykatën Kushtetuese dhe dy në Gjykatën e Lartë për shkak të mbarimit të mandateve të anëtarëve aktualë. Të paktën dy javë më parë përfunduan mandatet e një gjyqtari në Kushtetuese dhe një në të Lartën, ndërsa deri në fund të qershorit përfundojnë mandatet e 6 gjyqtarëve kushtetues dhe dy në të Lartën.
Propozimet për Presidentin
Ngritja e komitetit (komisionit) të vlerësimit dhe përcaktimit të kritereve për kandidatët.
Përpilimi i një liste me transparencë të plotë me të paktën dyfishin e vendeve vakante.
Përcaktimi i emrave të kandidatëve fitues nga Presidenti dhe dërgimi i tyre në Kuvend.
Secili kandidat duhet të kalojë të paktën në një seancë dëgjimore një orëshe në Komisionin Parlamentar të Ligjeve.
Anëtarët e Kushtetueses të votohen në Kuvend me 3/5 e deputetëve dhe jo shumicë të thjeshtë.
Topi: Funksionimi i gjykatave,të përmirësohet klima politike
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, thirri dy ditë më parë në Presidencë një grup ekspertësh ligjorë, për një takim konsultativ gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë. Por duket se situata politike në vend dhe mungesa e opozitës në Parlament do të shtyjë për në fund të muajit maj zëvendësimet e vendeve vakant në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e lartë. Në fillim të takimit, Presidenti Topi, pasi i ka falënderuar të gjithë anëtarët e grupit të punës për gatishmërinë e tyre në ofrimin e asistencës juridike, i ka inkurajuar ata drejt standardeve të njohura e të pranuara për gjyqtarë me integritet të lartë moral e profesional. Presidenti Topi vuri në dukje se ky është një proces tejet i rëndësishëm jo vetëm për shkak të numrit të konsiderueshëm të vendeve vakante, por edhe për funksionin specifik që kanë këto dy gjykata në strukturën institucionale të vendit. "Për shkak të kësaj rëndësie, kam qenë i hapur dhe u kam bërë thirrje konstante partive parlamentare që t'i kushtojnë gjithë vëmendjen e duhur përmirësimit të klimës politike, me qëllim krijimin e një shtrati bashkëpunimi për këto emërime. Politika duhet të ruajë strukturën e shtetit. Ajo duhet të jetë e harmonizuar për gjëra madhore", u shpreh Presidenti në takimin e djeshëm. Më tej, Kryetari i Shtetit theksoi se "ky proces konsultimi, në vijim të asaj tradite të mirë të krijuar tashmë, nuk është një proces mekanik, por një domosdoshmëri për evidentimin dhe vlerësimin e atyre elementëve, që përbëjnë integritetin e duhur moral dhe kapacitetin më të mirë profesional në ushtrimin e funksionit të nderuar të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë".