Situata politike mund të përkeqësojë vlerësimin
nertila maho
Përplasjet politike në Shqipëri mund t'i kushtojnë shtrenjtë xhepave të shqiptarëve. Nuk bëhet fjalë për efektet e pritshme, nga frika e sipërmarrësve për të rritur aktivitetin e tyre ekonomik. Këtë radhë, përplasja politike do të përkeqësojë imazhin e Shqipërisë në tregjet financiare dhe do të shtrenjtojë normën e interesit, me anë të së cilës Qeveria po përpiqet të financojë deficitin. Në raportin e "Moody's", flitet qartë se në rast se Shqipëria do të bëjë hapa para në procesin e integrimit, atëherë kosto e eurobonove mund të ulet. "Më shumë progres në synimin e vendit për t'u bërë anëtar i BE-së do të vendoste presion pozitiv për rritje në renditje. Komisioni Evropian së fundmi nënvizoi nevojën që partitë opozitare të marrin rolin e tyre të plotë në Parlament, në mënyrë që Shqipërisë t'i jepet statusi i kandidatit", theksohet qartë në raportin e "Moody's". Në fakt kompania, një ndër tre vlerësueset në botë, njihet për raporte "optimiste". Më e ashpër është gjuha e përdorur nga kompania tjetër "Standard&Poor's". Sipas tyre, në rast se qëndrueshmëria ekonomike mbështetet nga rruga e Shqipërisë në BE, ngërçi politik ndikon që ky stabilitet të rrezikohet ndjeshëm. "Qëndrueshmëria stabël për Shqipërinë balancohet në njërën anë nga rritja potenciale dhe politika e drejtuar në integrimin drejt BE-së dhe zhbalancohet nga jashtë nga borxhi i lartë publik dhe çështjet politike e institucionale të pazgjidhura", theksohet në raportin e "Standard&Poor's". E përkthyer më thjeshtë, ndikimi i krizës politike dhe thirrjet për revolta dëmtojnë besueshmërinë e Shqipërisë. Vendi aktualisht po del në tregjet ndërkombëtare për të financuar me 400 milionë euro borxhin. Pra, për të gjetur para, jo nga bankat vendëse, por nga ato ndërkombëtare. Një situatë e tensionuar politike bën që investitorët ndërkombëtarë të jenë të trembur për të ardhmen e vendit. Në këto kushte, ato e shikojnë me risk më të lartë investimin në eurobondin shqiptar, dhe në rastin më të mirë rritin normën e interesit. Pra borxhi bëhet më i shtrenjtë. Por nga ana tjetër, ekziston mundësia që edhe të mos e financojnë. Shqipëria sipas marrëveshjes për emetimin e eurobondit, ka rënë dakord që norma maksimale e interesit të jetë 7.5 për qind në vit dhe eurobondi të merret për një afat 5-vjeçar.