E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja me thikë në autobus, autori goditi edhe fëmijën



Armand Bajrami

Goditja me bërryl e një fëmije trevjeçar gjatë lëvizjes në autobusin urban ka shkaktuar konfliktin që përfundoi me vrasjen me thikë të Arben Gogës, në 11 janar të vitit 2010 në Tiranë. Të paktën ky është versioni i prokurorisë për ngjarjen, ku pas një zënke momentale, u shënua një viktimë me armë të ftohtë. Prokuroria e kryeqytetit mbylli hetimet në ngarkim të Nezir Mallikut, i akuzuar për “vrasje me dashje”. Dosja në ngarkim të tij është depozituar në Gjykatën e Tiranës. Referuar kërkesës për gjykim, nga ana e prokurorisë rezulton e provuar se Nezir Malliku është ekzekutori i Arben Gogës. Sipas prokurorisë, fakti që Malliku është autori është pohuar nga më shumë se gjashtë dëshmitarë të ngjarjes. Gjithashtu, sipas organit të akuzës “edhe vetë i pandehuri Nezir Malliku ka pranuar kryerjen e veprës penale dhe ka treguar të njëjtat rrethana, për shkakun dhe mekanizmin e kryerjes së saj”.
Sipas kërkesës për gjykim të depozituar në gjykatë, ngjarja ku mbeti i vrarë Arben Goga ndodhi rreth orës 16:00 të datës 11 janar 2010. “I pandehuri Nezir Malliku, duke udhëtuar me autobusin e linjës Ndroq-Tiranë, në afërsi të vendit të quajtur rruga “Konferenca e Pezës”, është zënë me fjalë me viktimën Arben Goga, i cili udhëtonte bashkë me gruan I.Goga dhe djalin trevjeçar, për shkak se i arrestuari gjatë lëvizjes ka goditur me bërryl fëmijën e viktimës. Për këtë arsye viktima i ka kërkuar fauorinos së autobusit dhe shoferit të tij, që të ndalonte autobusin për të zbritur. Viktima ka zbritur së bashku me gruan dhe djalin rreth 300 metra pasi ishte kaluar sheshi “21 dhjetori” duke ikur në drejtim të Ndroqit. Pas tij ka zbritur edhe i pandehuri Nezir Malliku, i cili i është afruar dhe e ka goditur viktimën një herë me thikë në pjesën e fytit. Më pas ai është larguar me vrap. Menjëherë viktima është transportuar për në spital, por gjatë rrugës ka gjetur vdekjen. I pandehuri është kapur në Vaqarr nga forcat e policisë”, thuhej në kërkesën për gjykim. Mësohet se i pandehuri Malliku ka qenë i kthjellët mendërisht gjatë kryerjes së veprës kriminale. Pasi i është nënshtruar eksperimentimit mendor, ka rezultuar se “personi nën hetim, Nezir Malliku, nuk vuan nga sëmundje psikike dhe është i përgjegjshëm për veprën penale që ka kryer”. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›