Dy kompanitë e riskut:Ekonomia e qëndrueshme
nertila maho
Për dy nga kompanitë më të mëdha të vlerësimit të rrezikut, ekonomia shqiptare është stabël. Pas raportit të Moody's, edhe Standard&Poor's, ka vlerësuar me të njëjtën notë kredibilitetin e financave shqiptare. Vlerësimi nga Standard&Poor's, u kërkua, si një kusht për emetimin e eurobondit deri në 400 milionë euro, që ka hedhur në treg Qeveria. Në botë ekzistojnë vetëm tre kompani vlerësimi, dhe sipas rregullit të bursave ndërkombëtare, duhet që financat e një vendi, të jenë të paktën të vlerësuara nga dy kompani. Pak ditë më parë, Moody's, e vlerësoi ekonominë shqiptare me notën "B1 stabël". I njëjti vlerësim vjen edhe nga kompania tjetër Standard&Poor's, me notën "B+ stabël". I vetmi ndryshim është që nota e marrë nga Standard&Poor's, është më "kredibël". Kjo pasi kjo kompani njihet si më "ortodokse" në vlerësimin e saj. Pra, vlerësimi i Standard&Poor's, është një arritje më e madhe për financat shqiptare. Pas këtyre dy vlerësimeve, tregjet ndërkombëtare që mund të shprehin interesa për blerjen e borxhit, do të jenë më të qarta për rrezikun e financimit. Nga ana tjetër, kjo notë, do t'i shërbejë Ministrisë së Financave për të kërkuar interesa më të ulëta për financimin e deficitit me anë të eurobondit. E thënë ndryshe, optimizmi, i dy kompanive për ekonominë shqiptare, jep më shumë mundësi për shitjen e eurobondit me një kosto më të ulët. Nga ana tjetër, garanton që ekonomia e vendit është stabël dhe e besueshme për investitorë të tjerë që duan të shtrihen në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Financave, "vlerësimi B+ vjen në një kohe kur rajoni dhe bota ende përballet me krizën ekonomike dhe financiare, dhe kur shumica e vendeve të rajonit kanë marrë vlerësime në zbritje (doëngrades) nga kompanitë e riskut."
RAPORTI I STANDARD&POOR'S
Ne po caktojmë një "B+" për stabilitetin afatgjatë financiar të monedhës vendase dhe të huaj në renditjen mbi pavarësinë financiare të Republikës së Shqipërisë, thuhet në raportin e Standard&Poor's. "Perspektiva mbi qëndrueshmërinë e Shqipërisë balancohet nga rritja e fortë potenciale dhe politika e drejtuar tek integrimi në BE, me imbalancat e vazhdueshme të jashtme të vendit, si borxhi i lartë publik, dhe probleme politike institucionale të pazgjidhura."
Renditja
"Më 19 prill 2010 Standrad & Poor's e Renditjeve të Shërbimit shënoi një "B+" sa i përket renditjes së pavarësisë financiare afatgjatë të monedhës vendase dhe të huaj për Republikën e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë ne vlerësojmë me "B" renditjen financiare afatshkurtër në qarkullimin e monedhës vendase dhe të huaj. Perspektiva paraqitet e stabilizuar. Një vlerësim i llogaritur dhe i konvertuar në "BB" u vendos gjithashtu.
Shpjegim
"Renditjet për Shqipërinë janë të kufizuara, nga këndvështrimi ynë për përparimin relativisht të ulët, borxhi i lartë i Qeverisë si përqindje e të ardhurave të Qeverisë, rritja e borxhit të jashtëm gjatë rritjes së deficitit aktual, dhe një klimë e pasigurt politike. Në anën tjetër renditjet mbështeten nga performanca solide e rritjes ekonomike, dhe nga parashikimi ynë për potencialin e fuqishëm afatgjatë, një kornizë e cila gjykon një pagesë të detyrimeve të borxhit, dhe një perspektivë afatgjatë për integrimin e mëtejshëm në BE. Edhe pse ekonomia shqiptare hasi një rënie të rritjes ekonomike në 2009-ën (nga 7.9% në 2008-ën në një vlerë 3.3% në 2009-ën), është një nga ekonomitë e pakta evropiane që nuk vuajti nga recensioni. Ky elasticitet ishte më shumë si efekt i stimulit monetar dhe fiskal që ndihmoi për të mbajtur dobësimin e kërkesës së brendshme, edhe pse kjo ka si kosto rregullimin më të shpejtë të llogarisë aktuale të deficitit (15.3% e GDP-së në 2009-ën). Në 2010-ën për mendimin tonë duke pasur parasysh tërheqjen e pjesshme të stimulit fiskal dhe me shumë mundësi një ulje të rritjes financiare, ne presim që GDP-ja të rritet në një shkallë të ulët mes 2%-3%. Sa i përket periudhës afatmesme, gjithsesi ne besojmë që ekonomia e ekuilibruar t'i kthehet rritjes potenciale të GDP-së 5-6% në vit. Në këndvështrimin tonë kjo do të kërkonte një përmirësim më të madh të konkurrencës në ekonomi, dhe specifikisht një klimë biznesi të përmirësuar, një lehtësim i procedurave administrative burokratike aktuale dhe një zgjidhje të të drejtave mbi pronën ende e paqartë."
Financat
Financat publike të Shqipërisë karakterizohen nga një rritje e vazhdueshme e borxhit të Qeverisë, pavarësisht rritjes së fortë ekonomike. Borxhi i përgjithshëm bruto i Qeverisë, dy e treta e të cilit në monedhë vendase projektohet që të arrijë 57% të GDP-së në fund të 2010-ës. Më tepër, në krahasimet me të ardhura të përgjithshme të Qeverisë borxhi është një nga nivelet më të larta mes renditjeve që ne bëjmë. Në këndvështrimin tonë, realizimi i të ardhurave relativisht të ulëta nga Qeveria reflekton ekzistencën e ekonomisë informale dhe kufizimin e bazës së taksave aktuale të Qeverisë. Në 2009-ën, Qeveria ju drejtua privatizimit duke realizuar një ekuivalent të 2.4% të GDP-së, ndërkohë që vazhdoi ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës. Kjo çoi në një rezultat deficiti 6.9% të GDP-së, krahasuar me targetin e 2009-ës prej 4.2%. Në 2012, Qeveria synon që të arrijë të ulë deficitin në 3% të GDP-së dhe një nivel të borxhit qeveritar në 52.5% të GDP. Gjithsesi ne besojmë se këto objektiva bazohen në një rritje ekonomike të lartë (një mesatare vjetore reale e GDP-së prej 6.4% nga 2011-2012) duke vënë si synim riskun e buxhetit dhe uljes së borxhit. Në këndvështrimin tonë konsolidimi i ngadaltë fiskal me shumë mundësi mund ta çojë Qeverinë në një borxh 55.4% të GDP-së në 2012-ën. Autoritetet po mundohen që të zbatojnë një rregull fiskal, i cili nëse zbatohet me përpikëri mund të kontribuojë në uljen e borxhit në vitet që vijojnë."
Banka
"Banka e Shqipërisë ka një mandat të vlefshëm për stabilitetin, dhe një regjim të kursit të këmbimit të lirë që ndryshon. Targeti i inflacionit është përcaktuar si nivel inflacioni 3% me një tolerancë +-1, që kur u stabilizua në vitin 1999 banka qendrore ja ka dalë pothuajse çdo vit të jetë brenda objektivit me përjashtim të 2002-it. Zhvlerësimi i lekut me pothuajse 10% gjatë 2009-ës në këndvështrimin tonë ka përmirësuar konkurrencën në ekonomi karshi partnerëve kryesorë tregtarë. Sistemi bankar në Shqipëri zotërohet pasivisht nga të huaj. Norma e kapitalit të mjaftueshmërisë në Banka qëndroi në nivelin 15% në fund të 2009-ës dhe pavarësisht zhvillimeve në cilësinë e portofolit të kreditimit, ne besojmë se sistemi është mjaft i përshtatshëm. Likuiditeti në banka është i lartë siç tregohet nga niveli kredi-depozitë që vlerësohet 60%. Në të njëjtën kohë, kreditimi në valutë përfaqëson 70% të kreditimit në total, duke nxjerrë kështu hapur ata që marrin këto kredi karshi shokut që pëson kursi i këmbimit. Po kështu 45% e bazës së depozitave është një valutë e cila gjithashtu përballet me riskun e mësipërm. Për të qenë në të njëjtën nivel me procesin e përshpejtuar të rritjes ekonomike, ne mendojmë se grupet bankare të huaja që kanë kaluar presione financiare të ashpra në ekonomi të tjera rajonale, mund të tregohen pak më të kujdesshme për aktivitetin e tyre krahasuar me të kaluarën."
Vëzhgim
"Qëndrueshmëria stabël për Shqipërinë balancohet në njërën anë nga rritja potenciale dhe politika e drejtuar në integrimin drejt BE-së dhe zhbalancohet nga jashtë nga borxhi i lartë publik dhe çështjet politike e institucionale të pazgjidhura. Renditjet mund të rriten, nëse arrihet një konsolidim buxhetor që ul raportin borxh-GDP në një trajektore të vazhdueshme dhe nëse ka një rritje të vazhdueshme ekonomike dhe afatgjatë pa ndryshuar zhbalancat e jashtme. Në të kundërt, renditjet mund të vijnë nën presionin e devijimeve të borxhit qeveritar, nga mungesa e një politike të përshtatshme për t'u aplikuar ose nëse zhbalancat e jashtme, në të kundërt të asaj që ne presim të përkeqësohen."
RAPORTI I MOODY'S
"Borxhi i Qeverisë shqiptare renditet B1. Ekonomia e vendit është e vogël, me një GDP-të ulët për frymë dhe një nivel të ulët të zhvillimit ekonomik-institucional dhe një bazë eksporti të kufizuar. Ka një fleksibilitet të kufizuar fiskal karshi borxhit relativisht të lartë, që bashkë me limitet e administrimit të varfër të taksave në sektorë si arsimi dhe shëndetësia mund të rritin cilësinë e kapitalit njerëzor. Gjithsesi, autoritetet po ndjekin këto me programe reformash, të cilat janë vlerësuar nga huadhënësit ndërkombëtarë. Për shembull FMN ka ndjekur me vëmendje progresin e vendit në reformimin strukturor, duke forcuar administrimin e të ardhurave, në programin që do të realizohet së shpejti për privatizim e plotë dhe përmirësimin e klimës së biznesit."
Renditja
"'Moody's' ka një vazhdim stabël për Shqipërinë. Ekonomia i ka qëndruar mirë krizës globale. Në veçanti rritja është ngadalësuar, por ka qëndruar pozitive në matjen vjetore, e mbështetur nga politika fiskale dhe monetare. Gjithsesi, deficiti buxhetor është më i lartë nga sa pritej vitin e kaluar, duke çuar në një ndryshim të balancave të Qeverisë, sa u përket interesave të borxhit, të cilat ishin relativisht të larta për një vend që renditet në këtë nivel."
çfarë do të ndryshonte renditjen?
"Edhe pse Qeveria po adreson problemet strukturore të ekonomisë, do të duhet më shumë progres që të ndihet një ndryshim në renditje. Një qartësim më i mirë i së drejtës së pronës dhe përmirësim i eficencës në gjyqësor do të ishin pozitivë për investimet që pritet të bëhen. Më shumë dënim për korrupsionin do të shihej pozitivisht. Më shumë progres në synimin e vendit për t'u bërë anëtar i BE-së do të vendoste presion pozitiv për rritje në renditje. Komisioni Evropian së fundmi nënvizoi nevojën që partitë opozitare të marrin rolin e tyre të plotë në Parlament në mënyrë që Shqipërisë t'i jepet statusi i kandidatit."
çfarë do të përkeqësonte renditjen?
"Shqipëria aktualisht është në krye të renditjes, siç tregohet nga mekanizimi ynë i renditjes. Dështimi për të mbajtur nivelin e programit të reformave, si institucionale dhe ekonomike, të cilat mund të krijojnë presion ulës në renditje. Më imediate, dështimi për të ulur deficitin buxhetor dhe për të ulur borxhin publik në kohën që ekonomia përmirësohet, kjo mund të ulte renditjen."
Zhvillimet e fundit
"GDP-ja është rritur 3% në 2009-ën dhe pritet që të rritet rreth 2-2.5% këtë vit. E ndihmuar nga shpenzimet paraelektorale, rritja ishte më e madhe gjatë gjysmës së parë të vitit dhe u ul në gjysmën e dytë pas zgjedhjeve, pasi u tërhoq stimuli. GDP-ja vlerësohet se është kontraktuar në tre muajt e fundit të 2009-ës, duke shënuar pikën më të ulët të vitit. Deficiti buxhetor në 2009-ën vlerësohet se ka arritur afërsisht 7% të GDP-së (nga një synim 4.5%) dhe niveli BORXH-GDP është rritur 60%. Edhe pse Qeveria synon të ulë deficitin poshtë 4% këtë vit, FMN-ja ka komentuar se mbledhja e të ardhurave shfaqet optimiste dhe lë hapësirë për ulje në 3% të GDP-së për të siguruar edhe Qeverinë që të arrijë këtë objektiv. Buxheti tashmë përfshin një tkurrje të ekuivalentit fiskal në 2.5% të GDP-së".
PS: çdo familje, 10 mijë dollarë për borxhin
Partia socialiste akuzoi Qeverinë se ka rritur borxhin publik. Deputeti Arben Ahmetaj tha dje se shifrat janë shumë të rënda për ekonominë e çdo familje. “Borxhi publik i vendit ka arritur në fund të vitit 2009 në vlerën 6.6 miliardë dollarë, e thënë ndryshe, çdo familje në datën një janar 2010 është gdhirë me një borxh prej 8,700 dollarë, ndërsa çdo shqiptar në datën 1 janar është gdhirë me një borxh prej mbi 2000 dollarë. Makutëria e këtij pushteti nuk mjaftohet me kaq, edhe 38 mijë fëmijët e lindur në vitin 2009 i ka ngarkuar me një borxh prej 2000 dollarësh secili”, u shpreh Ahmetaj.