E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tryezë për emrin e Kosovës në takime rajonale



Ministrat e Jashtëm të Serbisë, Spanjës dhe Turqisë u takuan dje në Beograd, për të gjetur një zgjidhje për mënyrën e paraqitjes së Kosovës në konferencat ndërkombëtare rajonale. Sipas gazetës “Blic”, takimi i treshes Miguel Angel Moratinos (në rolin e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave të BE-së), Vuk Jeremiçit dhe ministrit të Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu, do të jetë kyç për gjetjen e formulës së re të bashkëpunimit rajonal, që asnjë vend të mos përjashtohet nga dialogu. Pas këtij takimi, janë planifikuar konsultime ndërmjet anëtareve të BE-së dhe administratës së Brukselit lidhur me marrëveshjet e arritura, ndërsa finalizimi pritet të ndodhë javën e ardhshme, gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Italisë, Franco Frattini, në Beograd. Spanja planifikon që në muajin qershor të mbledhë në kryeqytetin e Bosnjës udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit. Ky mendohet të jetë samiti më i madh për Ballkanin, i organizuar nga Bashkimi Evropian. Spanja, si organizatore e Samitit të Sarajevës, ka thënë se angazhohet që të gjitha vendet e rajonit të marrin pjesë në këtë takim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›