E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri në parkingun e lokalit, pronari plagos një 20-vjeçar

 

TIRANE - Pronari i një lokali në Linzë, në periferi të kryeqytetit, ka përfunduar në qeli, pasi ka tentuar të vrasë një 20-vjeçar, duke e qëlluar me pistoletë në qafë, pas një sherri në parkingun e lokalit të tij. Burime nga policia bënë të ditur se është arrestuar 28-vjeçari Alban Allushi, pronar i lokalit “Golden Gold”, pasi ka plagosur 20-vjeçarin Sajmir S. Ndërkohë që ka kërcënuar me pistoletë edhe 3 persona të tjerë që ishin të pranishëm në momentin e konfliktit, Altin L., Maksim H. dhe Ergys H. Të njëjtat burime bënë të ditura se i plagosuri tashmë ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin Ushtarak. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të ditës së shtunë, në parkingun e lokalit në Linzë, pas një sherri që fillimisht ka nisur me fjalë, më pas me grushte dhe ka përfunduar me të plagosje. Sipas dëshmive që kanë dhënë i arrestuari në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, por edhe të së plagosurit në spital, mësohet se gjithçka ka nisur pas një konflikti banal. Burimet sqarojnë se Alban Allushi, ka qenë në tavolinë bashkë me 3 miq të tij në ambientet e lokalit të vet, ndërkohë që roja është futur brenda dhe i ka thënë që një person ka parkuar makinën në parkingun e pronës së Allushit, por nuk po futet brenda. Më pas 28-vjeçari, i cili ka qenë i armatosur me një pistoletë ka dalë jashtë bashkë me miqtë e tij dhe ka filluar të debatojë me Sajmir S., të cilit i ka kërkuar ose që të futet brenda në lokal ose të largohet nga aty. Ndërkohë mësohet se Sajmiri ka qenë i shoqëruar. Ky i fundit ka zbritur nga makina dhe ka nisur të debatojë ashpër me Allushin dhe në këtë kohë sherri ka kaluar nga fjalët në grushte. Në këtë moment pronari 28-vjeçar ka nxjerrë nga brezi pistoletën dhe ka e ka qëlluar një herë në qafë, duke e lënë të plagosur rëndë. Brenda pak minutash ai është arrestuar nga policia, ndërkohë që i plagosuri është transportuar drejt Spitalit Ushtarak, ku aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›