E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, në parlament tatimi mbi pasuritë, jashtë greva e protesta

ATHINË- Në Parlament votohet sot rritja e tatimit mbi pasuritë e patundshme. Votimi, ku nuk përjashtohen edhe surprizat, ka rëndësi sepse vlerësohet si test për paketën e re, të ashpër të masave të miratuar nga qeveria.

Zëdhënësi i qeverisë Ilias Mosialos shprehu besimin e qeverisë te grupi parlamentar i PASOK-ut, ndërsa partia Demokracia e Re bëri të qartë se nuk do ta votojë amendamentin, ndërkohë “reformën kombëtare të taksave” e ka cilësuar një “sulm taksash” ndaj popullit.

Ndërkaq jashtë Parlamentit do të jenë si gjithmonë “qytetarët e zemëruar”, të cilët kundërshtojnë masat e qeverisë, që sa vijnë e ashpërsohen.

Votimi i amendamentit në Parlament, bëhet në një kohë kur kryeministri Jorgos Papandreu do të jetë duke zhvilluar një darkë pune me kancelaren Angela Merkel në Berlin, ku në qendër mbetet kriza e borxhit grek dhe zbatimi i vendimeve të 21 korrikut.

Në këtë moment kritik për vendin, nuk rreshtin skenarët për falimentimin të cilat ministri i Financave Venizelos i refuzoi kategorikisht.
"Më duhet të hedh poshtë cdo ditë komente të tilla që media i raporton ku me lehtësi përpilohet falimentimi i vendit," tha ai.

"Vetëm një qasje e pavend dhe sipërfaqësore që nuk e kupton dëmin që i bëhet vendit mund të frymëzojë artikuj të tillë ", theksoi ministri.
Nga ana tjetër, në terren qytetarët edhe sot vazhdojnë të vuajnë pasojat e grevës së punonjësve të transportit publik.

Gjendja nuk pritet të përmirësohet as në vijim, pasi nesër dhe pasnesër kanë paralajmëruar se do ngrejnë frenat e dorës edhe shoferët e taksive.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›