Bulqizë, grevistët shtojnë 2 kërkesa të reja

Largimi i administratorit të firmës “ACR”, dhe rritja e pagës nga 20 në 40%. Janë këto 2 kërkesat e reja, që minatorët të cilët ndodhen në grevë urie prej katër ditësh, kanë parashtruar sot. Përpara mikrofonit të “Ora News”, e cila transmetoi live pamje nga greva e tyre, ata paraqitën kërkesat e reja si dhe vendosmërinë për të vijuar këtë grevë deri në plotësimin e kushteve.
“Thellojmë kërkesat, sepse asnjë nga qeveria apo firma “ACR”, nuk është ulur për diskutime me minatorët. Të nisur nga mungesa e kontaktit, dialogut dhe nga bojkotimi që qeveria dhe firma i bëjnë grevës sonë, vendosëm të shtojmë dy kërkesa të tjera”, u shpreh njëri nga minatorët. 16 minatorë të Bulqizës vijojnë grevën e tyre 1400 metra nën tokë, ndërkohë që pjesa tjetër proteston përpara ambienteve të “ACR”.
Një pjesë e grevistëve kanë filluar të paraqesin shqetësime shëndetësore që lidhen me diabetin dhe zemrën.