E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, humb jetën gjatë punës minatori 47-vjeçar

Bulqizë- Shënohet viktima e radhës në minierën e Bulqizës.  Viktima quhet Ivzi Veseli, 47-vjeç, baba i dy fëmijëve, i cili humbi jetën në fund të turnit të punës, teksa po punonte me martel në avancimin e një fronti në minierën e kromit në Bulqizë, në nivelin 16-të, në galeritë e të cilit vdekjet janë të ripërsëritshme.

Ngjarja ndodhi kur minatori po përgatiste frontin e punës për plasjen e minave. Sipas dëshmive të marra nga minatorët, Ivzi Veseli ka qenë duke punuar në front, kur me sa duket koka e barominës së martelit ka hasur në një minë të paplasur në turnin tjetër, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Minatorët që kanë shkuar në vendgjarje kanë gjetur shokun e tyre të pajetë në ballin e minierës, pikërisht për shkak të shpërthimit të një mine.

Minatorët fajësojnë sigurimin teknik, që nuk ushtron kontrolle të vijueshme në frontet e punës. Ata argumentojnë se plasjet e minave kryhen me aparate elektrike dhe minat nuk numërohen, kështu që mund të ngjasë që jo të gjithë minat të plasin. Pikërisht njëra prej kërtyre minave ka mbetur e paplasur gjë që ka rezultuar fatale për minatorin 47-vjecar.

Viktima ishte nga Maqellara e Peshkopisë dhe banonte me gruan dhe dy fëmijët në lagjen “Qyteti i ri” në Bulqizë. Ai shënohet si minatori i 14 që ka humbur jetën në aksidentet e nëntokës së Bulqizës.

Minatorët pas tragjedive të shumta janë shprehur të ndërgjegjshëm për rreziun që u kanoset gjatë punës, por sërish i drejtohen galerive nga nevoja e ngutshme për të punuar, si e vetmja mënyrë për të mbajtur gjallë familjet

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›