E Diel, 1 Nëntor 2026

Bulqizë, licencat minerare përplasin prefektin me ministrinë

METE konstaton leje ilegale, por nuk mban përgjegjësi

Ministria e Ekonomisë ka vendosur heqjen e pesë licencave për shfrytëzimin e mineralit të kromit në zonën “D” të pellgut krommbajtës të Bulqizës, e cilësuar si zonë me rrezikshmëri të lartë. Plani i masave është deklaruar dje në një takim pune të Task-Forcës së ngritur për ndalimin e punës së jashtëligjshme në shfrytëzimin e kromit në këtë zonë.

Nga pesë licencat që do të shfuqizohen prej Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), tri janë në sipërfaqe dhe lidhen me shfrytëzimin e sterileve dhe dy janë në nëntokë, në galeri të braktisura. Ndërkohë, një deklarim i tillë nga përfaqësues specialistë të METE-s, pjesëmarrës në mbledhjen e Task-Forcës, ka ngjallur debate. Kryetari i kësaj njësie, që është Prefekti i Dibrës, Xhafer Seiti, ka shprehur rezervat në lidhje me shfuqizimin e këtyre lejeve minerare. “Në shkresë thuhet se do të merren masa që këto leje minerare të shfuqizohen, por kjo kërkon një veprim mbi baza ligjore, pasi lejet janë të regjistruara edhe në gjykatë”, ka thënë prefekti Seiti.

Veç kësaj, ai ka thënë se janë dhënë leje shfrytëzimi me mbivendosje galerish, që përbën shkelje flagrante të ligjit, pasi rrezikohen jetë njerëzish. “Ndaj duhet që personat përgjegjës për dhënien e këtyre lejeve të vihen përpara përgjegjësisë penale. Leje janë dhënë edhe në zona me rrezikshmëri të lartë dhe përpara se këto leje të shfuqizohen, duhet që personat të cilët i kanë lëshuar ato, të vihen përpara ligjit. Prandaj një plan i tillë veprimi kërkon një diskutim të gjerë”, tha në vijim të fjalës prefekti Seiti.

Sipas tij, në shkresën e ardhur nga METE, veç të tjerave thuhet që menjëherë, brenda 15 ditëve, duhet të hiqen të gjitha objektet e jashtëligjshme sipërfaqësore në zonën e përcaktuar si me rrezikshmëri të lartë. Sipas prefektit është Ministria e Ekonomisë, institucioni që do përcaktojë se cilat janë këto objekte dhe si do realizohet një gjë e tillë. “Prefekti është për zgjidhjen e problemeve dhe jo për shkarkimin mbi të të përgjegjësive të të tjerëve”, nënvizoi Seiti.

Një tjetër përplasje mes prefektit dhe përfaqësuesve të METE-s ka qenë edhe ajo për mungesën e një plani për përcaktimin e zonës së rrezikshme dhe përpilimin e një plani për eliminimin e saj. Por gjatë kësaj përplasjeje nuk kanë munguar as reagimet e specialistëve të METE-s, pjesëmarrës në takim, sipas të cilëve Task-Forca nën drejtimin e prefektit nuk ka dërguar informacionet e duhura në këtë ministri, në lidhje me kontrollet e ushtruara prej saj. Gjithsesi edhe ky takim i dytë i Task-Forcës së ngritur me aq bujë para më shumë se një muaji, tregoi se mirëfunksionimi do të jetë tejet i vështirë, në përmbushjen e misionit të saj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›