E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata: Kumbaro i është fshehur drejtësisë

Dosja “Hoxha”, rrëzohet kërkesa e avokatëve për revokimin e masës për ish-shikasin

Ish-shikasi Ilir Kumbaro, i akuzuar për rrëmbimin e Remzi Hoxhës, Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt i është fshehur drejtësisë shqiptare, duke gjetur strehim në Angli, ku dhe po i nënshtrohet një procedure për ekstradimin e tij në atdhe. Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar pretendimet e avokatëve të Kumbaros, të cilët kërkuan që kjo gjykatë të revokojë vendimin për “arrest me burg” të vendosur disa javë më parë, i cili pritet të ekzekutohet në Londër, ku jeton aktualisht ish-drejtori i SHIK-ut në Tiranë në vitin 1995. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore, avokati i tij kërkoi revokim të masës së sigurisë, me arsyetimin se Gjykata e Krimeve të Rënda kishte vepruar me dy standarde ndaj të pandehurve, ku disa prej tyre nuk janë në masë arresti, por të lirë. Mbrojtja e Kumbaros vazhdoi se prokuroria dhe gjykata e kanë mbivlerësuar rrezikshmërinë shoqërore të klientit të tyre. “I mbrojturi prej meje nuk mund të kryejë tjetër vepër penale si dhe nuk mund të dëmtojë provat e procesit”, tha avokati.

Kërkesa e tij është kundërshtuar nga prokurori Xhevat Hana, duke pohuar se mbrojtja “luan” me këtë fakt. Sipas prokurorit, të pandehurit që akuzohen për rrëmbim të trefishtë, kanë pozicione të ndryshme në këtë çështje dhe nuk mund të përgjithësohen. Ai tha se të pandehurit Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi e kanë kryer një vit burg, ndërsa për Ilir Kumbaron këtë masë nuk e kanë ekzekutuar ende. Prokurori vijoi se Gjykata e Lartë në fund të vitit të kaluar e shoi masën e sigurisë ndaj Kumbros të vendosur në vitin 2003, ndërsa i hapi rrugë ligjore që prokuroria të kërkojë tjetër masë arresti, e cila është realizuar disa javë më parë dhe është miratuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda si dhe është lënë në fuqi nga Apeli. Në fund të fjalës, prokurori Xhevat Hana tha se kërkon rrëzimin e kërkesës për revokim të masës së sigurisë të kërkuar nga avokatët. Pas prokurorit, fjalën e mori sërish avokati i Kumbaros, i cili tha se kundërshtimet i ka me gjykatën dhe jo me prokurorinë, pasi kjo e fundit e ka të gjithë tagrin ligjor t’i drejtohet gjykatës për të kërkuar arrestin. Avokati tha se për masën e sigurisë të Kumbaros ka vendime të kundërta.

Pas palëve në proces, trupa gjyqësore e kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari, është tërhequr për vendim dhe pas 25 minutash kanë marrë një vendim dhe kanë rrëzuar kërkesën e mbrojtjes së Kumbaros. Sipas tyre, vendimi për masën e sigurisë me burg lihet në fuqi dhe pretendimet e avokatit duhet të verifikohen nga gjykatat më të larta. Në lidhje me arsyet, gjyqtari Brahimllari tha se masat për çdo të pandehur janë personale dhe rezulton se Ilir Kumbaro është larguar dhe i është fshehur drejtësisë. Sërish fjalën e mori avokati, duke kërkuar largimin e të gjithë trupës gjyqësore, pasi ka vepruar me dy standarde për këtë çështje. “Ju e paragjykoni çështjen dhe keni vendosur me dy standarde. Disa javë më parë u dorëhoqët nga dhënia e masës së sigurisë dhe tashmë vendosni që Kumbaro të lihet në burg. Kërkoj përjashtimin tuaj me arsyet se çështja nuk duhet paragjykuar”, tha avokati.

Megjithatë, trupa gjyqësore tha se seanca duhet të vazhdojë deri sa të vlerësohet kjo kërkesë. Në seancë ishte thirrur një përkthyese, e cila duhet të përkthente një dokument të ardhur nga Ministria e Drejtësisë italiane për pyetjen e disa ish-shikasve që kanë emigruar në vendin fqinj. Drejtësia italiane konfirmonte se kishte mbërritur letër-porosia për pyetjen e shtetasit Riza Shehu, por ajo duhet të miratohet nga gjykatat lokale. Ndërkohë, Gjykata e Krimeve të Rënda tha se ende nuk ka një përgjigje nga drejtësia e Holandës për letër-porosinë për pyetjen e të dëmtuarit Avdyl Loshaj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›