Cërriku, tankisti rrëfen negociatat për lirimin e pengjeve
Një ish-tankist i Forcave të Gardës së Republikës, i cili u mobilizua në pranverën e vitit 1997 përkrah policisë për të rivënë rendin, tregoi dje detaje nga masakra e Cërrikut, duke pohuar se janë kryer negociata për lirimin e pengjeve dhe marrjen e trupave të pajetë. Sokol Puçe tha se forcat e Gardës që humbën pesë efektivë nga masakra, ishin gati të luftonin me rebelët nëse nuk do të liroheshin pengjet. Dëshmia e tij është dhënë dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke pohuar se nga ngjarja është plagosur nga një granatë. Ai tha se në vitin 1996 ka qenë shofer i mjeteve të blinduara në Zall-Herr dhe një vit më vonë ka marrë pjesë në të gjitha rrethet problematike të Shqipërisë, pasi ishim në dispozicion të Policisë së Shtetit. “Më 22 mars na kanë njoftuar në Gardën e Republikës dhe na kanë thënë që do të niseni me mision në një rreth për mbledhjen e armatimeve. Në orën 21:00 u nisën katër mjetet blinduara drejt Elbasanit. Në orën 12:00 të natës ishim në Elbasan dhe nuk na thanë as arsyen pse ishim aty. Kemi fjetur tek hotel ‘Skampa’. Të nesërmen në mëngjes u mblodhëm te Komisariati i Elbasanit, ku kishte edhe forca të tjera speciale”, tha Puçe, duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurorit. Ai tha se Sali Martinin, Halit Haxhinë dhe Besnik Sylën i njihte, ndërsa saktësoi se kanë qenë shumë persona që janë nisur drejt Cërrikut. “Nga Elbasani drejt Cërrikut janë nisur pesë blinda, dy IFA dhe një tank i bardhë. Kanë pasur shenja identifikuese dhe te blindi që drejtoja ishte shkruar ‘policia’. Te blindi ndodheshin armët e mia personale; një kallashnikov dhe një pistoletë. Unë isha i fundit dhe afër fermës më erdhi Sokol Pjetri dhe më tha: ‘kemi rënë në pritë. Nuk e di se çfarë po ndodh tek kinemaja dhe Pallati i Kulturës’.
Në qytetin e Cërrikut janë futur 3 blinda të Hysen Doçit, Pjetër Kolprençit dhe Besnik Palit. Ka ardhur Sokol Pjetri dhe më tregoi për atë që po ndodhte. Kam zbritur në tokë dhe në atë moment ra një granatë, por nuk e pashë që isha plagosur dhe fillova të ndieja djegie. E pashë se kisha një cifël granate. Granata ra në kanal dhe shpërtheu 50 metra larg meje. Jemi larguar drejt Elbasanit. Për momentin nuk mora vesh se çfarë ndodhi. Shefi im Arjan Cenga ka ardhur nga Elbasani. Parkuam blindat para komisariatit dhe shkuam në kafe”, tha dëshmitari, duke saktësuar se në Elbasan nuk u kthyen të gjitha mjetet, pasi dy blinda mbetën në Cërrik. “Te lokali erdhi një djalë i krimeve me motor dhe më tha ‘kthehuni mbrapsht se është banda më e rrezikshme me kryetarin dhe nënkryetarin e Partisë Socialiste, Met Bozi, Roland Xhepexhiu dhe Llazar Bicja’. Për negociatat kanë qenë dy teza: ose të liroheshin pengjet dhe të plagosurit brenda orës pesë ose të ktheheshim në Cërrik dhe të gjuanim. Para orës pesë pasdite u liruan të gjitha pengjet dhe trupat e të vrarëve. Negociatori ishte një burrë rreth të 45-tave. Ai nga një anë bisedonte me shefin tim nga ana tjetër shkonte në komisariat, se me kë takohej nuk e di. Pëllumb Vataj, Fatmir Toçi dhe Dash Xhepaj më tha se qenë qëlluar nga zona e kinemasë dhe pallatet. Besnik Syla, Halit Haxhia dhe Sali Martini kanë vdekur dhe një person me emrin Pjetër, i cili ishte tek tanku i Hysen Doçit që u qëllua në kokë. Hysen Doçi më tha se Fari Metaliaj, Agron Kuliqi kanë qenë të plagosur, ndërsa Agim Biberaj dhe Azem Rustaj ishin marrë peng. Këta qenë në qendër të Cërrikut”, deklaroi dëshmitari. Në vijim ai tregoi se Agim Biberaj i kishte thënë se “në Cërrik tek sheshi është hapur zjarr dhe disa persona i kanë marrë peng”. Në qendër të Cërrikut pati shkëmbime zjarri dhe armët i lanë aty e dolëm nga blindi. “Agim Biberaj dhe Azem Rustaj u morën peng nga 10-12 persona dhe ishin trajtuar në mënyrë çnjerëzore. Ishin qëlluar me qytë automatiku. Biberaj kishte shenja në trup tek brinja e djathtë. Kam parë kasetën, ku Biberaj është filmuar dhe pengmarrësit i kanë thënë ‘je këlysh i Sali Berishës, sa të kanë paguar që je këtu’. Këtë kasetë e kam parë me sytë e mi, na e kanë sjellë në Gardën e Republikës një ish-prokuror, ku na pyeti për ngjarjen dhe për personat nëse i njihnim”, përfundoi dëshminë ish-tankisti.