Bulqize lufte mes bandave te kromit

Ngjarja ndodhi kur dy grupe të armatosura me tre kallashnikovë dhe tre pistoleta kanë qëlluar për të vrarë njëri-tjetrin vetëm pak metra larg godinës së bashkisë.
Zjarri është hapur në fillim nga një person me armë automatike, i cili nuk mundi të qëllojë shënjestrën e tij dhe plumbat goditën shtetasin Fehmi Kurcami, baba i tre fëmijëve, me profesion minator.
Ai ndodhej pranë një zyre noterie duke përgatitur disa dokumenta. Disa plumba e goditën në trup duke i marrë jetën.
Ndërkohë, pjesëtarët e grupit të sulmuar, anëtarë të një fisi të njohur në Bulqizë për shfrytëzimin e burimeve të kromit, janë përgjigjur me armë. Nga shkëmbimi i zjarit edhe dy kalimtarë në rrugë kanë marrë plagë të rënda.
Sipas policisë në Bulqizë, ngjarja ka lidhje me një përplasje të ndodhur mes dy grupeve pak ditë më parë në qytet.
Të dhënat tregojnë se zanafilla e konfliktit që degjeneroi në përleshje të armatosur mes bandave janë vendburimet e mineralit të kormit.
Shfrytëzimi i kësaj pasurie në një pjesë të tij është kriminalizuar dhe grupe të ndryshme të organizuara në bazë fisesh përdorin forcën dhe armët për ta kontrolluar.
Në zonën e minierave shpesh herë ka patur krisma armësh apo konflikte mes grupeve, por ngjarja e fundit i ka zbritur këto përplasje në qendër të qytetit, ku viktimat ishin kalimtarët.
Far uesti në minierat e Bulqizës është denoncuar shpesh nga Top Channel, duke qenë një cështje e ndjekur në vazhdimësi përmes kronikave dhe reportazheve speciale.
Rasti më i fundit ishte para një jave, ku në rubrikën “Shqipëria tjetër” u denoncua lidhja mes bizneseve legale dhe ilegale dhe politikës, që janë kthyer në zotër të pasurisë kombëtare dhe shfrytëzojnë stoqet dhe galeritë e kromit.
Grupi i Top Channel u sulmua fizikisht nga personat që u ndjenë të kërcënuar nga zbardhja e së vërtetës kriminale në këtë zonë të pasur me mineral.