Bulqizë, mbyllen 7 miniera të paligjshme

Vendimi është marrë nga grupi i kontrollit të ngritur posaçërisht për sektorin e minierave në zonën e Bulqizës
Në përfundim të kontrolleve disa mujore në minierat e Bulqizës, "Task Forca" e ngritur me këtë qëllim ka kërkuar mbylljen e plot shtatë të tillave me arsyetimin se janë të paligjshme. Vendimi është bërë publik gjatë analizës së zhvilluar dje me pjesëmarrjen e drejtuesve të Prefekturës së Dibres dhe grupit të punës së ngritur për disiplinimin e veprimtarisë minerare në rajonin e Bulqizës. Pas kontrolleve të ushtruara nga "Task Forca", e ngritur enkas për të parë gjendjen e punimeve që kryhen në minierën e Bulqizës, është arritur në përfundimin se duhet të mbyllen edhe shtatë miniera të paligjshme.
Takimi i përbashkët u zhvillua në mjediset e Prefekturës Dibër, nën drejtimin e Prefektit të këtij qarku, Xhafer Seiti. Të pranishëm në mbledhje ishin drejtues nga Ministria e Ekonomisë, Drejtori i Policisë të Qarkut Dibër, si dhe përfaqësues të strukturave vendore pjesëmarrëse në kontrollin e zhvilluar në minierat e Bulqizës. Nisur nga analizat e mëparshme, METE ka pezulluar 6 leje minerare te subjekteve private, për mosplotësim e zbatim të rregullave të sigurimit teknik në punë për punonjësit, ndërkohë që për 12 subjekte janë marrë masa ndëshkimi si gjoba në vlerë 18 milionë lekë dhe masa të tjera Vendimet vijnë pas shumë ngjarjeve të rënda që kanë ndodhur si në galeritë e brendshme ashtu edhe në stoqet e kromit