E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vijon greva e urisë, priten inspektorët e RISHM-it

Minatorët e Bulqizës kanë hyrë sot në ditën e 16-të të grevës së urisë ndërkohë që sot pritet që specialistë të Repartit të Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave, (RISHM) të nisen drejt Bulqizës për të hyrë brenda galerisë.

Ditën e djeshme RISHM kërkoi që specialistët e këtij reparti të lejohen të hyjnë brenda galerisë për të parë nga afër gjendjen atje por kjo kërkesë u hodh poshtë ngë grevistët.

Kryetari i grevës së urisë së minatorëve, Luan Nika deklaroi dje se nuk do të lejohet asnjë person të futet në galeri ndërsa shtoi se sot do të lejohen të hyjnë në minierë vetëm inspektorët të cilët do të shoqërohen nga vetë minatorët.

Gjithashtu Reparti i Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave i kërkoi dje Ministrisë së Ekonomisë, mbylljen e përkoshme të minierës së Bulqizës, deri në rikonstruksionin e saj. Sipas RISHM pezullimi i punës për një kohë të gjatë në minierë do të çojë në degradimin e saj.

Ndërkohë ditën e djeshme u shty edhe takimi mes minatorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë “ACR”. Takimi, i cili ishte vendosur nga minatorët për t`u zhvilluar mesditën e djeshme, u shty pasi përfaqësuesit e kompanisë “ACR”, nuk ranë dakort për orarin e zhvillimit të tij.

Ndërkohë 13 minatorët e Bulqizës ndodhen prej 16-të ditësh në grevë urie dhe gjendja e tyre po përkeqësohet nga dita në ditë.
Ata shprehen të vendosur se nuk do ta ndërpresin grevën e urisë derisa të plotësohen kërkesat e tyre.

Minatorët kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›