E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, minatorët: S'po zgjidhen kërkesat, tani grevë

BULQIZE-Minatorët e Bulqizës kanë vijuar sot për të 6 ditë radhazi protestën e tyre për plotësimin e kushteve të punës dhe zgjidhjen e marrëveshjeve koncensionare që qeveria ka bërë me firma të huaja.
Pas tubimit në qytet, 700 minatorët kanë marshuar në drejtim të zyrave të kompanisë austriake ACR që menaxhon aktualisht minierën e Bulqizës.

Kreu i Konfederatës, Kole Nikolli theksoi se mosmarrja e asnjë kërkese parasysh po shtyn gradualisht minatorët të ndërmarrin hapin ekstrem, atë të grevës së urisë.

Nikolli shpjegoi se “të hënën mbyllet ferrokromi në Elbasan dhe kjo pasi uzina punonte me lendën e parë, kromin që nxirrej nga Bulqiza”.

Ndërkohë dje protesta e radhës u përqëndrua në Tiranë, pikërisht para Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, (METE), ku minatorët këmbëngulën për një takim me ministrin, takim që nisi pikërisht rreth ora 09:30 minuta të paradites së djeshme.

Biseda mes përfaqësisë së minatorëve dhe zv/ministrit Neritan Alibali, ka zgjatur rreth një orë, por sipas minatorëve ky takim nuk solli asgjë të re.

Kreu i Konfederatës së Minatorëve, Kol Nikolli u shpreh më pas për mediat se biseda ishte një fotokopje e bisedave që ishin zhvilluar para 4 vjetësh me paraardhësit e Alibalit.
“Nuk ishte asgjë më shumë e asgjë më pak se një takim fotokopje sic kemi patur me ministrat dhe zv/ministrat e para 4 viteve. Zv/ministrin e falenderojmë për pritjen por masat që u morën nuk ishin konkrete. Alibali na theksoi se ka dërguar një grup punë në Minierën e Bulqizës si dhe ka ngritur një Task Force, të njëjtat gjëra që kanë bërë dhe të tjerë. Ne nuk duam zgjidhje me fjalë, ne duam zgjidhje me vepra”, tha Nikolli.

Minatorët kërkojnë plotësimin e 5 kushteve, që përfshin rritjen e pagave, heqjen e taksës së dyfishtë, përmirësimin e kushteve në punë, largimin e subjekteve të tjera të palicencuara nga territori i kësaj kompanie, si dhe uljen e moshës së pensionit, përndryshe kërcënojnë se do të hynë në grevë urie.

“Ka 4 vjet që tek ne nuk rritje page dhe indeksim. Kërkojmë në masën 20% rritje të pagës, përmirësim të kushtet e punës, këtu hyjnë vendosja e një mjeku, rinovim të bazës teknologjike në minierë, bazën e veshjeve, sepse asnjë ndërhyrje nuk është bërë në minierën tonë për shumë shumë vite”, u shpreh dje Nikolli.

Për këto shqetësime minatorët kanë takuar më parë dhe krerët e kompanisë austriake ACR, por nuk u arrit asnjë marrëveshje mes tyre. Kompania ACR kërkoi që ata ti ktheheshin punës në miniera, ndërsa minatorët kërkuan firmosjen e një kontrate që plotëson kushtet e kërkuara.

Gjatë protestave së tyre, minatorët kanë kërkuar të mos marrin pjesë politikanët, qofshin këta të djathtë apo të majtë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›