E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, minatorët protestojnë para zyrave të ACR-së

Minatorët e Bulqizës të mbështetur edhe nga familjarët dhe qytetarë të këtij qyteti kanë nisur sot protestat që prej orës 07:00 të mëngjesit  para zyrave të ACR-së.
 

Ata refuzojnë të nisin punën pa nënshkruar më parë një marrëveshje institucionale me kompaninë ACR, ku kjo e fundit të deklarojë se do të plotësojë të gjitha kërkesat e tyre.

Një ditë më parë administratori i ACR-së Giga Bedineishvili u dërgoi minatorëve edhe marrëveshjen, por kjo marrëveshje u hodh poshtë nga minatorët të cilët kërkuan që të plotësohen të gjitha kërkesat dhe jo një pjesë e tyre.

Ata gjithashtu kërkuan që në bisedime të marrë pjesë edhe kreu i konfederatës së sindikatave Kolë Nikolla të cilin kompania e akuzon se kërkon të mbajë peng interesat e minatorëve për interesat e tij personale.
 

Në marrëveshjen e nënshkruar nga administratori Giga Bedeneishvili thuhej se kompania ACR i garanton minatorët se do t`u sigurohet rritja e pagës bruto me 20 përqind, do të sigurohet transparenca në realizimin e investimeve si dhe do të përmirësohen edhe kushtet e punës.

Minatorët ndërprenë të shtunën grevën e urisë 27 ditëshe në nivelin e 14-të të nëntokës duke zbatuar vendimin e gjykatës së Dibrës. Ata shprehen të vendosur për të vijuar grevën dhe protestat deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tyre të cila janë, rritja e pagës deri ne 40 përqind,  përmirësimin e kushteve të punës, uljen e moshës së daljes në pension si dhe largimin e drejtorit të minierës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›