E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bumci Turizmi nje nga prioritetet e Qeverise shqiptare

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, vlerësoi të hënën gjatë takimit me Ambasadorin e SHBA në Tiranë, Aleksandër Arvizu, mbështetjen që Qeveria amerikane ka dhënë në art, kulturë, trashëgiminë kulturore, etj.

Zyra e shtypit e MTKRS bëri të ditur se në takimin që Bumçi zhvilloi me Ambasadorin amerikan, vlerësoi bashkëpunimin për restaurimin e Kalasë së Gjirokastrës, atë të Grazhdanit në Dibër, restaurimin e Kullës së Sahatit në Tiranë, kalanë e Shkodrës, Bazilikën e Arapajt në Durrës, etj.
Për ministrin Bumçi, një nga prioritetet e Qeverisë shqiptare, si dhe potencial sfidues i ministrisë që ai drejton, mbetet turizmi, për zhvillimin e të cilit ai vlerësoi rolin e madh që ka luajtur përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe masat e tjera të ndërmarra nga Qeveria në zonat turistike, në shtimin e numrit të turistëve të huaj në këtë sezon turistik.

Bumçi vlerësoi gjithashtu nevojën e zhvillimit të turizmit malor, duke u zgjeruar edhe në zonat e thella përmes përmirësimit të kushteve normale të shtëpive bujtëse dhe mikpritëse, sidomos për ata turistë që vijnë nga Europa Qëndrore dhe Lindore që parapëlqejnë këtë lloj turizmi.

Nga ana e tij, Ambasadori amerikan i rikonformoi ministrit Bumçi angazhimin e tij personal dhe institucional për arritjen dhe përmbushjen e sfidave të kulturës dhe turizmit në Shqipëri.

Arvizu theksoi se krahas arritjeve në fushën e turizmit, mbetet akoma punë për të zgjeruar gjeografinë e turistëve të huaj, për të pasur më shumë turistë dhe investitorë dhe nga SHBA, dhe ajo çka kërkon një investitor i huaj, sipas tij, është ekzistenca e një klime të mirë investuese për ta bërë Shqipërinë një vend të njohur turistik ashtu si Kroacia dhe Greqia.

"Vlerat dhe trashëgimia e pasur kulturore, natyrore dhe shpirtërore që keni janë një element shumë pozitiv për ju, por duhet të bëni kujdes për të patur një balancë të qëndrueshme midis vlerave ekzistuese natyrore dhe investimeve të reja”, u shpreh Ambasadori Arvizu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›