E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bulqizë, miniera i merr jetën një tjetër minatori



Bulqizë – Një tjetër viktimë është shënuar dje në Minierën e Bulqizës, duke e çuar në 20 numrin e minatorëve të vdekur. Burimet thanë se Behar Toci është minatori që ka gjetur vdekjen dje paradite, rreth orës 11:30, në galeritë e kësaj miniere. 30-vjeçari ka gjetur vdekjen në thellësinë e galerisë private që gjendej në afërsi të pusit të minierës.
Aksidenti
Mësohet se viktima, bashkë me disa persona të tjerë, jo minatorë të mirëfilltë, ka qenë duke gërmuar në galeri kur një masiv gurësh kromi ka rënë nga tavani duke zënë poshtë të riun, i cili ndodhej vetëm pak metra larg shokëve të tij. Forcat e policisë kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit jashtë galerisë, ku është shembur masivi i gurëve. Miniera e Bulqizës, e cila mund të quhet edhe “miniera e vdekjes” për shkak të jetëve të humbura të njerëzve, vazhdon të mos braktiset nga banorët e zonës të cilët jetojnë në kushte tepër të varfra. Vetëm pak ditë më parë, më 25 janar, një tjetër minator gjeti vdekjen në një galeri të Minierës së Bulqizës.
Rastet
Behar Toci është një tjetër minator që humb jetën në Minierën e Bulqizës, pasi 20 veta tashmë janë shënuar në lista se kanë humbur jetën gjatë punës së vështirë në galeri. Dy javë më parë ishte Arjan Duva, i cili vdiq në përpjekje për të nxjerrë prej aty krom e për të fituar bukën e gojës. Ishte 26 maji i vitit 2008 kur u shënua aksidenti i radhës, në të cilin mbeti i vdekur 60-vjeçari Mehmet Rama. I ndjeri punonte në Minierën e Batrës. Rama ishte nga fshati Gurrë i Matit, ndërsa mësohet se vdekja e tij ka qenë e menjëhershme. Ky ishte rasti i tetë kur gjenin vdekjen brenda disa muajsh në galeritë e minierës 9 minatorë. Madje nuk kishin kaluar as 5 ditë nga aksidenti që i mori jetën 43-vjeçarit Nevruz Gjoka nga Bulqiza dhe u plagosën 2 të tjerë, të cilëve iu dha ndihma e parë në spitalin e qytetit. Më 28 gusht të vitit 2007, Miniera e ferro-kromit në Bulqizë i mori jetën një tjetër minatori. Medi Jani, 45 vjeç, gjeti vdekjen brenda minierës, pikërisht në nivelin e 13-të. Vdekja e tij u tha se kishte ardhur si pasojë e mungesës së kushteve të sigurisë, ndërsa tragjedinë e ka konfirmuar Konfederata e Minatorëve. Vdekja e 45-vjeçarit ishte e katërta në këtë minierë brenda dy muajve, korrik-gusht, pasi kushtet e minierës janë shumë të këqija.

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›