E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e policit në 97-n, arrestohet në Tiranë i dyshuari Mond Mulia



Tiranë – Një i kërkuar për 12 vjet me radhë për vrasjen e policit Arben Lasku, por vetëm dje uniformat blu e kanë vënë në pranga. Burime policore thanë për gazetën se Mondi Mulia është arrestuar nga sektori i operacioneve speciale të qarkut të Tiranës, pasi ishte i shumëkërkuar për vrasjen e policit Lasku në vitin 1997 në qytetin e Shkodrës. Policia bëri me dije se ndalimi i tij u krye falë operacionit të koduar “Lapidari”. I shumëkërkuari Mondi Mulia, 31 vjeç, lindur e banues në Shkodër, i fshihej hetimit duke u strehuar në një banesë në Tiranë. Ndaj këtij shtetasi Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprat penale të “vrasjes në rrethana cilësuese”, ngjarje e ndodhur më datë 13 qershor 1997, në Laç të Vaut të Dejës, ku është vrarë punonjësi i policisë. Gjithashtu ai akuzohet dhe për “vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë”, vepër kjo e kryer ndaj dy punonjësve të policisë, Arben Paloci dhe Gjovalin Zali. Mulia akuzohet edhe për veprat penale të “vjedhjes me armë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Polici Arben Lasku u vra 12 vjet më parë, në përpjekje me bandat kriminale. Ai ishte në ndjekje të një bande që vidhte dhe grabiste gjatë trazirave të vitit 1997.
Lasku është i shpallur dhe “Dëshmor i Atdheut” dhe “Qytetar Nderi” i Vaut të Dejës, në Shkodër.

Operacioni i koduar “Pirro”, kapen dy me drogë dhe armë me silenciator

Lezhë – Një aksion i uniformave blu të Lezhës ka shkatërruar dje një grup që dyshohet se merrej me trafik të lëndëve narkotike. Operacioni i koduar “Pirro” u krye nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Prokurorin e Krimeve të Rënda.
Burime policore bënë me dije se u arrestuan Pëllumb Jakupi, 50 vjeç, lindur dhe banues në Fier, Angjelin Ujka, 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, Agim Kashari, 46 vjeç, lindur në Patos dhe banues në Koplik, Shkodër dhe 23-vjeçari Arbri Jakupi, lindur e banues në Fier. Arrestimi i tyre u bë pasi në vendin e quajtur fshati Ishull-Shëngjin, Lezhë, në afërsi të rrethrrotullimit, gjatë kontrollit të automjetit të markës “Mercedes Benz” me targë MA 2171 B, u gjendën të fshehura në pjesën e bagazhit të tij 4 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me peshë prej 2,15 kg dhe një sasi prej 4 kg pluhur të dyshuar përzierës i lëndës narkotike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda e dyshuar narkotike, një pistoletë me silenciator, 8 fishekë, një automjet dhe 7 aparate celularë. Ndaj të arrestuarve rëndon akuza e “trafikimit të lëndëve narkotike” dhe materialet iu kaluan Prokurorisë për Krime të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme.

Dyshohet si shpërndarës i Cannabisit, ndalohet 20-vjeçari

Tiranë - Arrestohet një i ri, pasi dyshohet se është shpërndarës i Cannabis sattivas. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë për gazetën se efektivët e sektorit të Luftës Kundër Drogës kryen arrestimin në flagrancë të Shkëlzen Meçollarit, 20 vjeç, banues në Tiranë. Policia konfirmoi se arrestimi i tij është bërë pasi u kap në flagrancë, në Rrugën e Dibrës, me një pako të mbështjellë me natriban, me peshë 107 gramë, me gjithë ambalazh, ngjyrë jeshile, me lëndë të dyshuar narkotike të llojit Cannabis sattiva. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 107 gramë bimë narkotike e dyshuar Cannabis sattiva, një telefon celular i tipit “Samsung”. Pas arrestimit, dosja me materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes së lëndëve narkotike”.

13 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›